I dërguari amerikan për Ballkanin, zv/ndihmës sekretari i shtetit Gabriel Escobar ka reaguar pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Zyrtari i lartë i SHBA-së e bëri të qartë se është politike e Amerikës që të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë e BE-së. I pyetur nëse duhej pritur fundi i negociatave me Beogradin pasi ai ndihet i “frustruar” nga ky aplikim, Escobar u përgjigj se amerikanet e shohin me përparësi anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllokun europian.

“Kjo është pa paragjykime, ne e mbështesim kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE, kandidaturën e Bosnjë e Hercegovinës, të Maqedonisë së Veriut,  Malit të Zi, kandidaturën e çdo vendi qe e meriton. Gjithmonë ka qenë politikë e Shteteve të Bashkuara që të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë e BE-së. Ju jeni europianë historikisht dhe kulturalisht, por po ashtu besojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra – tjetrën, duhet të kenë marrëdhënie paqësore mes vete dhe duhet të punojnë për një të ardhme të përbashkët për rajonin”.

Udhëheqësit institucioneve të Kosovës nënshkruan të mërkurën kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian, e cila iu dorëzua zyrtarisht Çekisë si kryesuese radhës e bllokut 27 anëtarësh. Paraqitja e kërkesës është hapi i parë i një procesi të gjatë i cili varet po ashtu nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Top Channel