Përgjigjja e Bashkimit Evropian ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në bllok, do të ndikohet nga pesë shtetet që nuk e njohin.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Michael Leigh.

Në këtë intervistë dhënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Leigh nga Fondi Marshall gjerman, po ashtu shpjegon se cilët janë hapat e Kosovës drejt BE-së dhe pse rasti i Kosovës është më i komplikuar.

Ai, po ashtu, thekson se Qeveria e Kosovës nuk pret që BE-ja shpejt të marrë vendim për anëtarësimin e Prishtinës në bllok.

Radio Evropa e Lirë: Kosova ka dorëzuar aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, që praktikisht është e paprecedent, marrë parasysh se jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së e konsiderojnë Kosovën shtet. Në anën tjetër, Kosova është një shtet, të cilit i është premtuar perspektiva evropiane për më shumë se dy dekada. Sipas jush, si do të veprojë dhe reagojë BE-ja pas aplikimit?

Michael Leigh: Mund ta kuptoj plotësisht padurimin e Kosovës, marrë parasysh kohën e gjatë që kur BE-ja ka premtuar anëtarësimin potencial për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pra, mendoj se kjo është vazhdimësi e aplikimit të Kosovës, pasi paraprakisht aplikoi në Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, siç e përmendët, janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet, dhe kjo normalisht se do të ndikojë në përgjigjen e Bashkimit Evropian lidhur me këtë aplikim.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ky aplikim nuk duhet të nënvlerësohet. Nuk bëhet fjalë për cilindo shtet. Nuk është rasti sikurse i Marokut, që është refuzuar sepse nuk është shtet evropian. Ky është një shtet, por në të njëjtën kohë nuk është shtet, sipas BE-së. Nuk është një aplikim që mund të futet në ndonjë sirtar në kryeqytetet e BE-së apo në selinë e bllokut. Disi duhet të trajtohet. Pra, cilët mendoni se do të jenë hapat e ardhshëm, në kuptim të procedurave?

Michael Leigh: Hapat e ardhshëm do të jenë të njëjtit që ndërmerren për çdo aplikim. Pra, aplikimi fillimisht do të dërgohet në Këshillin e Ministrave të shteteve të ndryshme, sipas procedurave standarde. Pastaj, i mbetet Këshillit të Ministrave që të vendosë nëse do t’i kërkojë Komisionit Evropian një mendim zyrtar lidhur me aplikimin për anëtarësim, përfshirë edhe pyetjen nëse Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Por, në mënyrë që Këshilli i Ministrave t’ia bëjë këtë kërkesë Komisionit, duhet fillimisht që anëtarët e Këshillit të pajtohen në mënyrë unanime për një gjë të tillë. Dhe, siç e dimë, ashtu siç e përmendëm edhe më herët, janë pesë shtete që nuk e pranojnë Kosovën si shtet. Më duket se ka pak të ngjarë që në një periudhë të shkurtër kohore, Këshilli i Ministrave të bëjë kërkesë për mendim zyrtar nga Komisioni.

Radio Evropa e Lirë: Kur thoni se ka pak të ngjarë të ndodhë kjo për shkak të pesë shteteve mosnjohëse… Megjithatë, ju keni qenë drejtor i përgjithshëm i zgjerimit gjatë kohës kur Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. Ata gjetën një zbrazëtirë ligjore, një mendim ligjor që thoshte se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk prejudikon qasjen e shteteve anëtare drejt statusit. Tani, sigurisht, ne mund të pajtohemi se MSA-ja ishte një marrëveshje tregtare.

Megjithatë, aplikimi apo kërkesa e mundshme për mendim nga Komisioni ka më shumë ndikim politik në këtë drejtim. Por, a parashikoni ndonjë mendim ligjor nga ekspertët e BE-së që do të mund të gjente zbrazëtira ligjore në procedurat dhe të mundësohet ndërmarrja e hapave pasues, në kuptim të asaj që Komisioni të mandatohet që të përgatisë mendimin zyrtar?

Michael Leigh: Mendoj se duhet të bëjmë dallimin, siç thatë edhe ju, të raporteve ekonomike, teknike, të mbështetjes, stabilizimit nga çështja e një anëtarësimi të mundshëm. Sepse anëtarësimi zyrtarizohet përmes traktatit të pranimit, një traktat i ri ku çdo shtet anëtar i BE-së është palë. Nuk është një shtet kandidat që nënshkruan marrëveshje me BE-në. Është një shtet kandidat që nënshkruan traktat me të gjitha shtetet anëtare ekzistuese lidhur me pranimin e shtetit kandidat. Pra, kur bëhet fjalë për anëtarësimin, apo hapat e rëndësishëm drejt anëtarësimit, kërkohet një pajtim unanim i shteteve anëtare. E kam të vështirë të shoh se si kjo mund të shmanget përmes procedurave ligjore.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, pavarësisht se si e shohin statusin e Kosovës pesë shtetet e BE-së, në dokumentet ligjore dhe zyrtare të Bashkimit Evropian, Kosova trajtohet si kandidate e mundshme. Si mund BE-ja ta injorojë këtë dhe ta vendosë në harresë aplikacionin e Kosovës? Sepse, sipas asaj që ju thatë, pas aplikimit do të ketë një periudhë kohore kur asgjë nuk do të ndodhë rreth këtij aplikimi.

Michael Leigh: Ne duhet ta kemi parasysh se atë që ju e përshkruani si harresë, korrespondon me një situatë mjaft normale në Bashkimin Evropian. Kur merrni parasysh shtetet që aplikuan për anëtarësim dhe më pas u anëtarësuan – shtetet sikurse Polonia që iu bashkua bllokut më 2004 – kaloi më shumë se një vit në mes të aplikimit të tyre për anëtarësim deri në kërkesën formale nga Këshilli për mendimin e Komisionit. Pra, edhe nuk bëhet fjalë për statusin, sikurse në këtë rast [rastin e Kosovës], gjendemi në një mjedis krejtësisht politik dhe është e nevojshme që të ndërtohet një konsensus.

Natyrisht, ka disa veçori të posaçme në rastin e Kosovës, që e komplikojnë situatën edhe më tej. Prandaj, mendoj se Qeveria e Kosovës është plotësisht e vetëdijshme për këtë dhe nuk mendoj se me dorëzimin e aplikimit ajo pret një përgjigje të shpejtë, për shembull, të marrjes së statusit të kandidatit, ashtu siç iu dha Bosnjë e Hercegovinës, dhe më parë edhe Ukrainës dhe Moldavisë. Nuk mendoj se ajo pret diçka të tillë.

Mendoj se Qeveria po vë në pah një pikë gjeopolitike se Kosova dhe aspiratat e saj për në BE duhet të merren seriozisht, veçanërisht në konfiguracionin aktual gjeopolitik të Evropës. Por, po ashtu, duke mos harruar orientimin e Serbisë, që ka qenë mjaft fort drejt Rusisë në kohët e fundit. Në anën tjetër, Kosova në përgjithësi ka mbështetur qëndrimet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve perëndimore. Prandaj, kjo është një deklaratë shumë e fortë gjeopolitike nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe nuk jam i sigurt se ata vetë presin që hapat ligjorë që pasojnë, do të ndërmerren brenda një afati të shkurtër kohor.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për Serbinë, ju personalisht keni qenë shumë i përfshirë në hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, si për Serbinë ashtu edhe për Malin e Zi. A është e drejtë të thuhet se bisedimet e anëtarësimit për Serbinë janë pezulluar, edhe pse askush nuk e pranon një gjë të tillë publikisht?

Michael Leigh: Mendoj se kjo do të shkonte përtej situatës. Termi pezullim nuk është i saktë. Ka shumë veçori komplekse në kapituj të ndryshëm negociues, por edhe në kontekstin e përgjithshëm politik. Prandaj, e dini, këto negociata po zhvillohen shumë ngadalë. Por, kur thoni se ‘janë pezulluar’, mendoj se një përshkrim i tillë do t’i përshtatej, për shembull, Turqisë, që është e qartë tash e një kohë se bisedimet me këtë shtet de-facto janë pezulluar. Sigurisht, kështu nuk është rasti me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Por, bisedimet de-facto janë pezulluar. Dhe, ka shumë dallim sepse BE-ja, sa i përket Turqisë, veçse ka pranuar se negociatat janë të ngrira. Megjithatë, Serbia nuk ka lëvizur shumë në hapjen e kapitujve të rinj. Fillimisht, për shkak të situatës lidhur me sundimin e ligjit, dhe tani mospërshtatja me sanksionet e BE-së po ka një ndikim të madh në vendimin e shteteve anëtare të BE-së.

Michael Leigh: Po, sigurisht që nga një shtet kandidat pritet që t’i përshtatë politikat me ato të BE-së. Kjo është e gjithë esenca e procesit të pranimit. Dhe kjo është e vërtetë për kapitujt teknikë, por po ashtu edhe sa i përket kritereve të gjera të Kopenhagës për demokraci, sundim të ligjit dhe për politikën e përbashkët të jashtme dhe ato të sigurisë, që janë pjesë integrale e “acquis” që BE-ja pret që shteti kandidat t’i përshtatë. Prandaj, dështimi i Serbisë për të bërë një gjë të tillë, do të thotë se nuk po i përmbushë disa nga pritjet që janë pjesë e procesit të pranimit.

Radio Evropa e Lirë: Kemi dy shtete në këtë proces, Malin e Zi që ka nisur bisedimet e anëtarësimit më 2012, dhe Serbinë, që i ka nisur negociatat më 2014. Edhe nëse i lëmë anash me mospërshtatjen me politikat e bllokut, negociatat kanë shkuar shumë ngadalë. Procesi në vetvete ka qenë më i komplikuar dhe më i vështirë. A mendoni se sa të jeni gjallë, do t’i shihni këto dy shtete duke përmbyllur bisedimet dhe duke nënshkruar traktatin e pranimit, duke pasur parasysh ritmin e deritashëm të bisedimeve?

Michael Leigh: Po e injoroj referencën për moshën time, duke menduar se nuk e patët për të keq. Shpresoj që të jetoj gjatë dhe gjatë asaj periudhe të shoh pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa ka vullnet BE-ja që të pranojë më shumë shtete? Kemi dëgjuar shumë për atë që po quhet ‘lodhje nga zgjerimi’. Zotimi për zgjerimin e BE-së është ringjallur në dritë të agresionit rus kundër Ukrainës. Por, kjo është më shumë përpjekje për të fituar besimin në rajon, që është dëmtuar për shkak të premtimeve të papërmbushura të Brukselit për shtetet e rajonit. A mendoni se realisht shtetet e Ballkanit do të bëhen anëtare të familjes evropiane? Apo, do të ketë ndonjë formulë tjetër për këtë pjesë të rajonit, që është në zemër të Evropës?

Michael Leigh: Ajo çfarë kemi parë deri më tani është një rreth vicioz në të cilin Bashkimi Evropian, përmes disa raporteve të ndryshme të tij – ju mund të lexoni raportet vjetore të Komisionit e kështu me radhë, të cilët janë kryesisht në linjë me raportet me burime të tjera: Transparency International, Freedom House, Departamenti amerikan i Shtetit, e kështu me radhë, në lidhje me kapjen e shtetit, mungesën e përparimit të mjaftueshëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor.Keni dëgjuar se prospekti i anëtarësimit po e humb besueshmërinë. Pse duhet të bëjmë sakrificë në zbatimin e reformave kur kjo nuk na çon neve më shpejt drejt anëtarësimit? Dhe, ky është rrethi vicioz në të cilin jemi.

Nëse shikohet nga një distancë, mendoj se dikush mund të thotë se këto shtete dhe banorët e tyre do të përfitonin nga reformat pro-demokratike në çdo rrethanë. Dhe për liderët nuk është, vërtet, bindëse që ta atribuojnë mungesën e zotimit të tyre drejt forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit te ngadalësia e BE-së. Por, kemi ngecur në këtë proces pavarësisht risive, pavarësisht ndryshimeve të bëra nga BE-ja në procesin e pranimit, që kishin për qëllim që ta bënin këtë proces më efektiv.

Pra, pyetja është nëse ndryshimet gjeopolitike në kontinentin evropian, veçanërisht sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, dhe më pas vendimi për dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe duke nënkuptuar se edhe Gjeorgjia mund ta marrë këtë status nëse i plotëson kushtet, por edhe dhënia e statusit për Bosnjë e Hercegovinën, sugjerojnë se është injektuar një dinamikë e re në procesin e zgjerimit.

Nëse i shikoni deklaratat e disa prej krerëve të qeverive kyçe të BE-së, veçmas të kancelarit [të Gjermanisë, Olaf] Scholz, dhe presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron, ajo që po thonë ata është se nuk mund të kemi zgjerim derisa vetë BE-ja të ketë përmirësuar procedurat e vendimmarrjes. Ata kanë marrë shembullin e [kryeministrit të Hungarisë, Viktor] Obran, dhe aftësisë së një lideri që të bllokojë diskutime të rëndësishme, siç është mbështetja për Ukrainën, duke përdorur veton. Ata thonë se si është e mundur të mendojmë një BE me deri 36 anëtarë, përderisa ka ende mundësi të vendosjes së vetos?

Por, fakti se kancelari Scholz dhe presidenti Macron po thonë se ne duhet t’i bëjmë këto ndryshime, si kusht për zgjerimin e mëtejmë, nënkupton se zgjerimi është ende në agjendë.

Scholz do që Ballkani Perëndimor të përfshihet në zgjerimin e BE-së

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket kësaj, sa larg apo afër është momenti i anëtarësimit? BE-ja gjithmonë deklaron se nuk do të pranojë anëtarë të rinj që janë çështje të pazgjidhura, veçmas me fqinjët dhe natyrisht me vendet e tjera të BE-së. Duke qenë se Serbia është një nga lideret në këtë proces, a mund ta imagjinoni që Serbia të bëhet anëtare e plotë e BE-së pa e njohur paraprakisht Kosovën si shtet?

Michael Leigh: Epo, mendoj se e parashtruat pyetjen në atë mënyrë që pothuajse iu përgjigjët vetë asaj, që është në dritën e përvojës sonë të mëparshme me disa vende të tjera që hynë në BE e që kishin çështje të hapura me fqinjët e tyre. A jemi të gatshëm që ta paramendojmë se kjo mund të ndodhë në të ardhmen? Përgjigja është qartësisht jo. Pra, aq më tepër në rastin e shteteve që janë në gjendje lufte ose ku territori është pjesërisht i pushtuar nga një fuqi e huaj.

Mendoj se është një gjë dhënia e statusit të vendit kandidat, por është çështje tjetër që të parashikohet se pranimi i atij shteti. Unë personalisht e kam të vështirë ta imagjinoj se shtete me konflikte të tilla të hapura do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kështu që mendoj se mbetet kusht për anëtarësimin eventual që këto çështje të zgjidhen./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA