Një firmë që vendosi nëpunësja e thjeshtë Jonida Zeqo, për inceneratorin e Elbasanit e çoi atë në burg.
Në të njëjtën dosje, atë të inceneratorit të Fierit, rezulton se ish-ministri e ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj hodhi disa firma, megjithatë ai nuk pati të njëjtin fat.
Ai nuk shkoi në burg, madje dy prokurorët Eneid Nakuci dhe Klodian Braho harruan që ta pyesnin pavarësisht se në disa raste ministri ishte paguar për udhëtime luksoze nga Klodian Zoto, gjithashtu nën akuzë.
Avokati Saimir Visha që përfaqëson nëpunësen aktualisht nën arrest shtëpie dhe e dorëzuar si e pandehur gjatë javës, numëron për TCH gabimet e SPAK në këtë hetim.
“Për mua gjënë e parë duhet të kishin bërë bashkimin e gjithë procedimeve. Nëse ju e quani skandal, e quajmë fakt nëse bën vepër penale apo. Duhet të ishte më shumë i investiguar nga BKH. Duhet të jetë roli aktiv i prokurorisë ta tërheqë këtë çështje. Personat që ka marrë për shpërdorim detyre, duhet t’i pushojë sa më parë procedimi, për të t’i përdorur në cilësinë e dëshmitarët. Nuk mund të mbash një njeri që di një fakt, në përgjegjësi penale njerëz të tjerë.“- shprehet avokati Samir Vishaj.
Avokati akuzon SPAK se i mbylli hetimet me shpejtësi nën influencën e politikës
“Klientja ime akuzohet për shpërdorim detyre, mund të ishte pyetur në cilësinë e dëshmitare. Sot është një masë siguri arrest shtëpie. Vetë është çuditur për një kontratë që ka firmosur me urdhër të eprorit. Ajo që mua më çudit më shumë është mënyra e shpejtësisë së kësaj çështjeje dhe dërgimi në gjyq. Se kujt i ka interesuar për ta vonuar apo dërguar, këtë nuk e dimë“- shton Vishaj.
Avokati i njohur është skeptik ndaj SPAK në krye të tre viteve nga krijimi i prokurorisë që duhet të hetonte ministra e politikanë të rëndësishëm. Por që përfundoi duke akuzuar specialistë drejtorish.
“U lanë jashtë kësaj skeme shumë subjekte që mund të ishin ministra, kryeministra,deputetë, president, që kishin akses politik në rritjen e fondeve apo korrupsion, ky ishte qëllimi i SPAK, të merrej me krimin e organizuar brenda këtij korrupsioni, të cilin nuk e ka realizuar”– përfundon avokati.
Top Channel