Një mbrëmje e qetë në shtëpinë e 57-vjeçarit me iniciale P.S. në Shkodër, derisa krejt papritur një plumb “troket” në dritare.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur rreth orës 20:00 në në lagjen “Skënderbeg”.
Një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Hilë Mosi” ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së 57-vjeçarit. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.
“Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër.
Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit“, njofton policia.
Top Channel