Në kohën kur diplomacia perëndimore ka vënë në punë motorët me shpresën të frenojë përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës, nga serbët atje vjen sfida e radhës.
Mediat në Kosovë thonë se një barrikadë e re është vendosur në Zubin Potok. Ajo thuhet të jetë e përbërë nga dy kamionë dhe ka bllokuar një rrugë të kësaj zone.
Banorët e Zubin Potokut, sipas shtypit vendas, pretendojnë se barrikada është vendosur për të rritur sigurinë e qytetarëve që thonë se ndihen të frikësuar nga Policia e Kosovës, e cila vetë në fakt, nuk ka shkaktuar asnjë incident.
Në dy fshatra të komunës janë vendosur më herët edhe dy barrikada të tjera. Kryeministri Albin Kurti është shprehur se pret që të ndërhyjë KFOR-t për zhbllokimin e rrugëve, që zgjat prej disa ditësh tashmë.
“Tani nuk është në tryezë as çështja e targave të paligjshme, as çështja e zgjedhjeve për kryebashkiakë në katër komunat veri të Kosovës, prandaj duket se kanë mbetur pa pretekste, ndaj janë të gatshëm që të shpikin gjithçka vetëm e vetëm që të zbatojnë planin e tyre për bllokim të veriut, është shprehur më herët ai, duke shtuar se “nuk duam konflikt, duam paqe dhe progress, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
I dërguari i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd tha gjatë takimit të fundit me Kurtin se do të preferonte që barrikadat në veri të mos hiqeshin me buldozerë.
Top Channel