Rama pas deklaratës së Kim për garën e kreut të SPAK: KLP të mos influencohet nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve

14/12/2022 11:01

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim në lidhje me garën për kreun e SPAK.

Ai mbështet Kim, duke theksuar se kreun e SPAK nuk e zgjedh as qeveria, as foltorja, as ambasada, por vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të KLP-së që të mos dëgjojnë dhe të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve.

“Jam plotësisht dakord me ambasadoren Yuri Kim dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik!  Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!

Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkruan Rama në Twitter.

Kujtojmë se në procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK që pritet të mbahet më 16 dhjetor garojnë prokurorët e posaçëm, Adnan Xholi, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.

Diplomatja amerikane në Tiranë përcolli një mesazh për KLP-së gjatë mëngjesit të sotëm, ku tha se procesi nuk duhet të ndikohet nga personat që kanë interes për të manipuluar. Ajo theksoi se SHBA-ja mbështet reformën në drejtësi dhe do të monitorojë nga afër procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK.

Top Channel