Messi, tani edhe një lider! “Kërcënon” Maradonën!

14/12/2022 16:15

Lionel Messi ishte padyshim që më parë në grupin e 5 lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, atje lart në Olimpin ku qëndrojnë prej kohësh Maradona, Pele, Di Stefano dhe Cruijff.

Por kurrë si tani në vjeshtën e karrierës në moshën 35-vjeçare, nuk i është afruar kaq shumë majës absolute, atë që për shumëkënd është zënë nga paraardhësi i tij me fanellën numër 10 të Argjentinës. Për ta bërë ka nevojë për dy gjëra: Të fitojë një Botëror dhe të demonstrojë se klasit të jashtëzakonshëm dhe të pamatë mund ti bashkojë edhe aftësinë e një lideri, atë për të tërhequr pas vetes skuadrën. Është pikërisht kjo aftësi që sapo ka arritur.

Kjo pasi Diego Maradona coi një skuadër thuajse mediokre në çatinë e Botës në 1986 dhe 4 vjet më pas çoi një albiceleste edhe më të dobët në finale, pavarësisht problemeve fizike. Maradona ishte i vetmi që fitonte i vetëm. Pele kishte përkrah yje absolutë si në 58, ashtu dhe në 62 apo 70, kur fitonte Kupën e Botës. Di Stefano më i mirë u pa në eksperiencën me Realin e Madridit plot yje në fundvitet 50-të, Cruijff mahniti me klasin e tij në një kolektiv që lëvizte sipas skemave të të ardhmes. Maradona shkoi më tej, me cilësi të papara të bashkuara me një shpirt lideri që nuk vinte thjesht prej teknikës së tij superiore. Mbronte shokët në çdo moment, krijonte polemika apo grindej me arbitrat e kundërshtarët pikërisht atëherë kur ishte e nevojshme për Argjentinën. Klas dhe karizëm, një miks i paarritshëm.

Messit gjithmonë i kishte munguar diçka e tillë. Më të mirën e tij e ka dhënë në një skuadër që ishte e ndërtuar rreth tij, te Barcelona. Fitoi gjithçka me blaugranat, si numër trofesh fitoi më shumë se Diego, por duke pasur një marrëdhënie të komplikuar me fanellën e Argjentinës. Pastaj diçka ndryshoi. La Barcelonën, ngriti Kupën e Amerikës një vit më farë dhe tani rikthehet në finalen e një Botërori 8 vjet pas asaj të Brazil 2014. I mungon vetëm një hap, por mënyra se si ka vepruar në Qatar 2022 thotë që tani shumë. Shoket e skuadrës duket se janë gati të hidhen në zjarr për të, polemika me Van Gaal, frazat me të cilat ju drejtua holandezit Weghorst pas çerekfinalev, “Cfarë shikon budalla, ik andej”., janë disa nga provat që Messi ndihet një udhëheqës që nuk e ka problem të nxehë në pah dhe instiktet e këqija për të arritur synimin final. Mbi të gjitha e provon këtë edhe mënyra se si ka marrë për dore skuadrën, duke u bërë pika e referimit të të gjithë grupit, ndryshimi i vërtetë i Messit në Katar 2022, një lider teknik dhe moral.

Leo ka konfirmuar se ky do të jetë Botërori i tij i fundit. Me pjesëmarrjen në finale do të bëhet lojtari me më shumë prezenca në Kupën e Botës. Gjithsesi atij i intereson vetëm të ngre atë Kupën, për të kompletuar një karrierë që në këtë mënyrë do të ishte më e kompletuara e gjithë historisë./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA