“Plotësoni Gjykatën e Lartë”/ Ambasadorja amerikane jep “detyrat e reja të shtëpisë”

13/12/2022 15:10

Plotësimi i Gjykatës së Lartë është një nga detyrat e radhës që ambasadorja amerikane Yuri Kim i numëroi si të pambaruara.

“Besoj se brenda 3 mujorit të parë të 2023 Gjykata e Lartë do të ketë të gjithë anëtarët. Duhet të gjejmë drejtësi për njerëzit. Populli shqiptar dhe amerikan pret me padurim gjykata që janë me gjyqtarë që janë të gatshëm të japin drejtësi. Jo hakmarrje, po drejtësi.  Që ta dinë që kur të vijnë në gjykatë të jenë të barabartë para ligjit. Ata do ta dinë që do marrin drejtësi në kohë”, tha ambasadorja Yuri Kim në konferencën “Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

“Çdo çështje duhet parë me vëmendje jo vetëm për efektin që sjell në praktikën gjyqësore por edhe për palët në veçanti, ata duhet të marrin sinjalin e duhur, se çështja e tyre po gjykohet me vëmendjen që i takon. Nga ana tjetër gjyqtarët nuk mund të jenë vazhdimisht dhe pa ndërprerje nën presionin e çështjeve që kanë akumuluar prej dekadash”, tha Sokol Sadushi, zv. kryetari i Gjykatës së Lartë.

“Kemi nevojë të bëjmë zero  numrin e çështjeve të prapambetura. Plotësojeni gjykatën dhe vendosi përparësi për çështjet më urgjente. Ka arsye për të qenë optimist për këtë brez shqiptarët. Reforma në Drejtësi po jep rezultatet konkrete. SHBA është në kahun e popullit shqiptar. Duhet të ketë më shumë, kjo nuk është një kohë për tu çlodhur, këto gjëra i kemi bërë se bashku. Ky është një proces njerëzor, por çelësi është të mbeteni në mënyrë të angazhuar në mënyrë serioze. SHBA dhe BE duan që ju të keni sukses”, theksoi Kim.

Por sfida e radhës këtu në polin e drejtësisë është mbledhja e thirrur në datën 16 dhjetor, në të cilën do të dëgjohen konkurrentët që synojnë drejtimin e SPAK, mbasi në datën 19 i përfundon mandati Arben Krajës.

Detyrat e tjera që presin gjyqtarët lidhen me zbatimin e hartës së re dhe centralizimin e Apelit në një të vetëm në Tiranë.

Top Channel