“Forcat e NATO-s janë të gatshme, të afta dhe vigjilente”,  kështu tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, për ngjarjet në Veriun e Kosovës, ku situata vijon të mbetet e brishtë pasi bllokadat e serbëve ende qëndrojnë.

 “Forcat e NATO-s dhe BE-së bashkëpunojnë ngushtë. Këshilla ime për të gjitha palët është që të përmbahen nga retorika që kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensionet. NATO është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar për t’i dhënë fund dy luftërave etnike, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona janë ende të pranishme atje përmes KFOR-it, i cili ka gati 4000 anëtarë dhe është faktor kyç në stabilizimin e rajonit dhe situatës”, tha Stoltenberg.

Këtë qëndrim e konfirmoi edhe Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili pas mbledhjes së gjatë me ministrat e jashtëm tha se blloku i gatshëm të shtojë praninë e forcave të Misionit të BE-së në Kosovë, nëse është e nevojshme.

 “Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk janë diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk e pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të përfundojë. Bllokadat duhet të largohen. Qetësia duhet të rivendoset. U kërkova shteteve anëtare të jenë të gatshëm të dërgojnë përforcime shtesë për misionin tonë të EULEX-it”, tha Borrell.

Ndërkohë një reagim për situatën ka bërë edhe Kryetarja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Jowlle.

“Barrikadat dhe barrikadat e ngritura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, tha ajo.

Sipas saj NATO e ka bërë të qartë se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të kryer mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Top Channel