Konsultime për buxhetin me banorët e Njësisë 5/ Veliaj: Fokusi ynë, te puna dhe bashkëpunimi me njerëzit

13/12/2022 16:16

Përpara miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm lokal, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, vijuan konsultimet me qytetarët në çdo njësi me Njësinë 5.

Duke folur për investimet e mëdha që prekin këtë njësi, por dhe ato që janë planifikuar për vitin e ardhshëm Veliaj tha se fokusi te puna dhe bashkëpunimi me njerëzit janë çelësi i suksesit.

“Ne nuk jemi ndarë në të një majtë dhe të djathtë. Ne jemi ndarë në një grup që do të punojë dhe beson që përmes punës, bashkëpunimit, bashkimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin vendi ecën përpara dhe një filozofi tjetër që, përmes dhunës, sharjes, përçarjes, djegies së gomave, bllokimit vendi ecën përpara. Nuk më rezulton kështu. Le të protestojnë pa fund, le të djegin të bëjnë çfarë të duan, le të vijnë me pistoletë, ne do t’i bëjmë lodrat. Le të protestojnë, të bëjnë çfarë të duan, le të përçahen dhe të bllokojnë, ne do e bëjmë Parkun Olimpik dhe e bëmë. Le të bllokojnë dhe të djegin goma për Astirin ne do e bëjmë Astirin sepse sot te Njësia 5 hyhet më kollaj, sepse ka një nga akset kryesore të rrugës që e lidh edhe me juglindjen, e lidh edhe me Farkën e lidh edhe me zonën nga del nga Tirana në drejtim të lindjes, e lidh me autostradën e madhe, me Durrësin që pastaj vazhdon nga veriu në jug” u shpreh Veliaj.

“Jemi në një situatë dita me natën kur vjen puna te arsimi”, vuri në dukje kreu i Bashkisë.

“Vetëm këtë vit kemi hapur 40 shkolla. Një histeri: “jo po shkolla Kosova, – ja ku është shkolla Kosova, – jo po Sami Frashëri do shkojë në Paskuqan, jo po do bëhet pallat…. Çfarë s’mund të bëjmë nëse bashkëpunojmë, nëse fokusohemi te puna dhe nuk dorëzohemi para atyre që nuk ndërtuan një shkollë. Unë i them të gjithë kundërshtarëve të mi, ju uroj sukses, jetë të gjatë, dalshi faqebardhë në të gjitha ambiciet tuaja, por kam vetëm një pyetje, më thoni një shkollë që keni bërë. Kush ndërton shkolla po themelon të ardhmen e vendit. Po themelon pajën që ia lëmë një gjenerate tjetër. Shqipërinë si do duket nesër. Shqipëria do të duket nesër si shkollat duken sot”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Kopshti Sunny Hill në Bllok është po ashtu kopshti më i kërkuar në Shqipëri.

Ndërsa, ministrja Ibrahimaj tha se Tirana është sot një qytet i transformuar falë vizionit dhe punës së kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.

“Në kohën që unë kam qenë e re Tirana nuk ishte aspak kështu. Tirana nuk kishte kaq shumë drita. Tirana nuk kishte kaq shumë jetë. Sigurisht, nuk na shkonte mendja që Tirana mund të bëhej ndonjëherë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe të kishte koncerte, festivale, evente, ekspozita. Të kishte përditë diçka ku ti jo vetëm të kaloje kohën por dhe të mbusheshe me pozitivitet. Kjo është Tirana e Erionit dhe ekipit të Erionit që unë uroj që të vazhdojë të jetë e tillë. Ka ende shumë gjëra për të bërë dhe do të ketë akoma dhe në 14 maj dhe pas 14 majit, po jam e bindur që Erioni me ekipin e tij dhe me mbështetjen e të gjithë qeverisë do ta bëjë Tiranën në një nivel që ne nuk mund ta imagjinojmë dot sot”, nënvizoi Ibrahimaj .

Top Channel