Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, është që palët të zgjidhin çështjet e tyre “përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon. KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë mandatin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, u tha në njoftimin e këtij misioni të NATO-s.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 6 dhjetori, teksa janë regjistruar disa incidente të armatosura.

Më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarë e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Teksa Policia e Kosovës ka rritur prezencën në veri, Serbia ka paralajmëruar se më 15 dhjetor do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë që të vendosë deri në 1.000 trupa policore dhe ushtarake në Kosovë. Serbi ka argumentuar se ka të drejtë të vendosë trupa në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por, ekspertët kushtetues dhe të sigurisë, i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se bazuar në Rezolutën 1244 dhe në dokumente të tjera, Serbia nuk mund të dërgojë trupa në Kosovë.

Paralajmërimet për dërgimin e trupave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka parë si “kërcënim me agresion” nga Beogradi, ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA