Kompania “Fusha”, fituese e koncesionit, është e njohur për numrin e lartë të kontratave që ka me shtetin shqiptar.

Ajo zotërohet nga Shkëlqim Fusha, i cili zotëron edhe disa kompani të tjera. Fusha numëron sipas të dhënave plot 61 kontrata publike me pushtetin lokal. Vlera që ka përfituar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë është mbi 5,8 miliardë lekë. Pra, rreth 50 milionë dollar, pa llogaritur këtu koncesionin e fundit që do ti kushtojë xhepave të shqiptarëve plot 1.3 miliardë dollar.

Kjo kompani numëron dhjetëra kontrata edhe me ndërmarrjet publike, ARRSH, sektorin e Shëndetësisë etj. Vetëm me Fondin Shqiptar të Zhvillimit sipas Open Corporates, Fusha shpk numëron 12 kontrata me vlerë plot 5,1 miliardë lekë ose afro 50 mln dollarë.

Ndërkaq, le të shohim pak kush janë edhe kompanitë e tjera që janë bashkuar nën ombrellën e Fushës në koncesionin abuziv Lekaj-Fier.

Agnes Construction: Është themeluar në vitin 2003 dhe deri më tani ka përfituar plot 47 kontrata publike si operator i vetëm në pushtetin vendor me vlere afro 1,4 miliardë lekë. 38 prej të cilave i ka fituar në Fier, 7 në patos, 1 në Lushnjë dhe një në Delvinë. Ndërkaq kjo kompani ka përfituar disa kontrata në bashkëpunim. Arben Goga, Bashkim Ramaj, Zeni Tërpollari janë personat që e drejtojnë dhe zotërojnë këtë kompani. Arben Goga, është përfolur shpesh si njeriu që fiton pjesën dërrmuese të tenderave në Bashkinë e Fierit, që drejtohet nga Armando Subashi.

Inside Story, i kushtoi pak kohë më parë një investigim krimit të organizuar në Fier, ku deputeti Petro Koçi, denonconte se si krimi kontrollonte tenderat në këtë qytet të rëndësishëm.

Kompania tjetër e konsorciumit në koncesionin Lekaj-Fier është Albavia: Shkëlqim Rakipaj, Hasan Hafizi rezultojnë administrator dhe drejtues. E hapur në vitin 1998, kjo kompani ka pasur 3 kontrata totale me institucionet publike si e vetme dhe disa me bashkëpunim. Bien në sy kontrata me ARRSH prej 948 milion lekësh dhe ajo në bashkëpunim me kompaninë Geci prej 1,6 miliardë lekësh.

Kujtojmë se Albavia është kompania që po ndërton rrugën Qukës-Qafë-Pllocë, një rrugë e cila nuk po përfundon prej vitesh siç e përmendëm më lart. Ndër të tjera KLSH ka zbuluar shpërdorimin e miliona dollarëve.

Kupa shpk: E themeluar në vitin 2004, kjo kompani ka përfituar plot 61 kontrata publike me pushtetin vendor në total me vlerë 791 milionë lekë. Zotërues i kësaj kompanie është Shkëlqim Kupa.

Antes Group: Është Hapur në vitin 1996 dhe vepron kryesisht në zonën e Beratit. E vetme kjo kompani ka përfituar 12 kontrata publike me një shumë prej 1,1 miliardë lekë. Bardhjus Bushaj, Enka Merko, Gjysho Merko, Kristjan Merko, Entela Merko janë zotëruesit e kompanisë. Ortakët Bardhjus Bushaj dhe Gjysho Merko, qëndrojnë pas ndërtimeve në parkun e liqenit në Tiranë. Kujtojmë se Qeveria i shiti me një vendim të datës 9 prill 2020 afro 290 metra katrorë tokë shtetërore kompanisë tjetër të Bushajt “Lion Construction” për ndërtimin në hyrje të Liqenit Artificial.

Klodioda shpk: Hapur në vitin 2005 me administrator dhe zotërues Ylli Karapicin. E vetme kjo kompani ka fituar 11 kontrata publike.

ALTEA & GEOSTUDIO 2000: Është themeluar në vitin 1994. Ky subjekt ka 3 Kontrata me shtetin si operator i vetëm.

Sphere shpk: Është themeluar në vitin 1998 dhe ka 2 kontrata publike. Kjo kompani zotërohet nga Ilir Allkja.

E përbashkëta e këtyre kompanive të futura nën ombrellën e Fusha shpk ëhstë se kanë pak ose aspak eksperiencë në ndërtim të rrugëve, sidomos të autostradave. Disa prej tyre madje nuk kanë as mjetet e duhura për të kryer punët që parashikon kjo kontratë koncensionare. Të gjitha këto shtojnë edhe më shumë hije dyshimi për favorizim të kompanive që mesa duket vetëm rrugë nuk ndërtojnë dot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA