Udhëheqësit e vendeve të G7 rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur dhe solidaritetin me Ukrainën të hënën, duke u zotuar të plotësojnë nevojat e saj urgjente për pajisje ushtarake për t’u mbrojtur nga agresioni i Rusisë.
Në deklaratën e tyre, G-7 dënoi “sulmet e vazhdueshme brutale të Rusisë ndaj infrastrukturës jetike, në veçanti rrjeteve të energjisë dhe ujit në qytetet në mbarë Ukrainën”.
Deklarata i quan këto sulme krime lufte dhe dënoi ata që “mbështesin luftën e paligjshme të Putinit”.
Qëndrimi i tyre vjen vetëm një ditë përpara takimit të G-7 në Paris me tematikë rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori pjesë në takimin virtual.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, aktualisht edhe president i G-7, u angazhua për ringritjen e stabilitetit financiar të Ukrainës dhe e krahasoi rindërtimin e Ukrainës me Planin Marshall të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndërkohë, forcat ruse goditën Ukrainën lindore dhe jugore me raketa, dronë dhe artileri. Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal bëri thirrje për dërgimin e raketave Patriot dhe sistemeve të tjera të teknologjisë së lartë për mbrojtjen ajrore ndaj sulmeve të Rusisë.
Top Channel