I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Escobar, po ashtu, thotë se formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetësuar negocimin e tij.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thotë Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, faleminderit për intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë në Prishtinë! Si ka qenë vizita juaj deri më tash në Kosovë?

Gabriel Escobar: Sikurse të gjitha vizitat e mia në Kosovë, ka qenë shumë produktive. Dua të filloj duke thënë diçka që e kam thënë në njërën prej intervistave të mia të fundit. Ne e konsiderojmë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor pjesë të komunitetit transatlantik. Ju, thjesht, nuk jeni pjesë e strukturave formale, por, në çdo mënyrë, ju konsiderojmë si partnerë të rëndësishëm dhe si anëtarë produktivë të komunitetit.

Sa herë që vij këtu, takohem me udhëheqës biznesi, takohem me shoqërinë civile, takohem me udhëheqës të rinjsh. Këtë e kam bërë edhe këtë herë. Ata, vërtet, kanë përforcuar mendimin tim dhe të Qeverisë sonë se Ballkani Perëndimor është më shumë një mundësi për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara sesa një rrezik. Ne vetëm duhet ta bëjmë realitet këtë aspiratë.

Radio Evropa e Lirë: Dua të filloj me situatën aktuale në veri të Kosovës. Kë e shihni përgjegjës për barrikadat?

Gabriel Escobar: Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato.

Por, ne gjithashtu duhet t’u ofrojmë atyre një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat – përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike. Kështu po e shohim ne krizën aktuale. Dhe përtej krizës, ne duhet të fillojmë të mendojmë për një kornizë më të qëndrueshme, në të cilën komunitetet në këtë vend mund të punojnë së bashku.

“Barrikadat pjesërisht të ndikuara nga Beogradi”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës ka thënë se barrikadat janë të ndikuara nga Beogradi. A e ndani këtë mendim?

Gabriel Escobar: E ndaj një pjesë të këtij mendimi. Megjithatë, nisur nga diskutimet e mia me komunitetin [serb] atje, ata i kanë disa ankesa që duhen dëgjuar. Nuk mendoj se bojkoti dhe barrikadat janë mënyrë për ta bërë këtë. Por, unë mendoj se komunikimi i hapur, dialogu dhe pranimi se ka mungesë besimi mes dy komuniteteve, janë të rëndësishëm për të ecur përpara me sukses.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se nuk ka dialog të mjaftueshëm me komunitetin lokal nga Prishtina zyrtare?

Gabriel Escobar: E kam dëgjuar këtë prej tyre. E kam dëgjuar edhe prej pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe prej njerëzve të tjerë që nuk janë të lidhur politikisht, se në shumë raste, ata ndihen të izoluar nga qeveria qendrore. Tani, në disa raste, ata ndihen të frikësuar edhe nga disa njerëz që janë të lidhur me Beogradin. Pra, ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga ky kurth. Dhe, rruga përpara është përmes koordinimit të kujdesshëm, dialogut të hapur dhe angazhimit të plotë në dialogun që e lehtëson BE-ja.

Radio Evropa e Lirë: Pasi që serbët e Kosovës u larguan nga institucionet, a mendoni se është e mundur që të integrohet sërish veriu i Kosovës në sistemin institucional të Kosovës?

Gabriel Escobar: Sigurisht që shpresoj në këtë, dhe shpresoj që kur të arrijmë një zgjidhje, e cila shpresoj të ndodhë shpejt – homologu im Mirosllav Lajçak është sot këtu – do të shohim largimin e barrikadave dhe do të shohim një rrugë përpara për riintegrimin. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim.

Radio Evropa e Lirë: Jeni takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe…

Gabriel Escobar: Po, jam takuar.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ata do ta mbështesin kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës?

Gabriel Escobar: Mendoj se ata duan të kthehen. Mendoj se askush nuk përfiton nga bojkoti. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohemi në procesin e pajtimit dhe mendoj se ata mund të jenë pjesë e këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: A po i shfrytëzon Beogradi barrikadat si justifikim për të përmirësuar pozicionin e tij negociues në dialog?

Gabriel Escobar: Kjo mbetet të shihet. Por, më duhet të them se ka ende elemente të mungesës së besimit mes atij komuniteti dhe qeverisë qendrore. Dhe, çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të bëjmë, duhet të ketë besim mes komuniteteve, përpara se të kemi një zgjidhje të suksesshme.

Radio Evropa e Lirë: Nëse banorët lokalë nuk i largojnë barrikadat, kryeministri [Kurti] i ka bërë thirrje KFOR-it që ta bëjë një gjë të tillë. A prisni ju që KFOR-i t’i largojë barrikadat?

Gabriel Escobar: Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato, t’i largojnë. Por, ne gjithashtu presim që atyre t’u ofrohet një rrugë përpara, për t’i adresuar disa çështje. Tani, ka aq shumë çështje, për të cilat duhet të jemi të vendosur. Disa çështje që lidhen me sundimin e ligjit, me urdhërarreste legjitime… ato duhet të gjykohen në gjykata dhe jo në rrugë. Megjithatë, në çështjet që kanë të bëjnë me procedura administrative, si targat e makinave, zëri i tyre [komunitetit serb] duhet të dëgjohet. Ne e kemi inkurajuar Qeverinë që të dëgjojë zërin e tyre në këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i afrojmë të dyja palët dhe ta përqendrojmë vëmendjen e tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se, më 15 dhjetor, Serbia do të kërkojë nga KFOR-i kthimin e forcave të saj në Kosovë. Si e sheh SHBA-ja këtë?

Gabriel Escobar: Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së nëse Beogradi do të bënte një inkursion të armatosur?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, nuk e pres këtë. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të kontribuojë SHBA-ja, ose ju personalisht, në uljen e tensioneve?

Gabriel Escobar: Unë i kam thënë komunitetit [serb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra. Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm.

Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut.

Radio Evropa e Lirë: A duhet të formohet Asociacioni para arritjes së marrëveshjes finale?

Gabriel Escobar: Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.

Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Top Channel