Veriu i Kosovës vijon të jetë ende i bllokuar, pasi barrikadat ndodhen ende në Rudarë.

Veç barrikadave, është vendosur edhe shirit “Mos kalo!”.

Serbët vijojnë të protestojnë kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, i cili dyshohet se është përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe policisë.

Shkollat ​​në veri të Kosovës sot nuk do të jenë të hapura, ndërsa pas orës 21:00 është dëgjuar breshëri armësh dhe shpërthime në Rudarë.

Mes situatës së tensionuar, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të takojnë sot në Prishtinë udhëheqësit e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe paqësore.

Për shkak të ngjarjeve në Kosovë është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi.

Pas seancës së Këshillit, presidenti i Serbisë  tha se barrikadat janë shprehje e protestës kundër arrestimit të njerëzve dhe theksoi se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata të Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar përmes deklaratave të përbashkëta për situatën në veri të Kosovës, duke kërkuar largimin e barrikadave të vendosura në veri.

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock deklaroi se Kosova ka shtyrë zgjedhjet lokale,  porSerbia ka vazhduar të rrisë tensionet, duke mos vepruar në mënyrë të njëjtë si Kosova në këtë situatë të tensionuar.

Që më 10 dhjetor, disa grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ata kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiç, i cili dyshohet se është përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe policisë.

Top Channel