“Nuk do të doja të shikoja përgjakjen e fytyrës tuaj atë ditë”/ Spiropali shpreh keqardhjen për sulmin ndaj Berishës

12/12/2022 19:15

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shprehu keqardhje në seancën e plenare për sulmin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit në Tiranë.

Spiropali tha se nuk do donte ta shihte kurrë përgjakjen ne fytyrën e Berishës, aq më tepër në ditën e mbajtjes së samitit në Tiranë.

“Ndjeva keqardhje për ju Berisha. Nuk do të doja ta shikoja atë skenë në Bulevardin e Tiranës. Nuk do të doja të shikoja përgjakjen e fytyrës tuaj në ditën më të rëndësishme për Shqipërinë, Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, por as në ditët e tjera të vitit. Dhuna është e papranueshme në çdo rast dhe çdokujt”- tha Spiropali.

Megjithatë, Spiropali shtoi se dhuna nuk ishte politike pasi sipas saj vetëm vota është ndëshkueshmëri.

“E di që kanë përmendur të kaluarën tuaj, si për të thënë e të kujtuar që je politikani që më shumë se kushdo ka frymëzuar dhunë në jetën politike në Shqipëri. E dëshmuat edhe sot në këtë Foltore. Kanë përmendur fatrin që e keni përdorur dhunën si mjet për të arritur qëllimet tuaja.  Forca ime politike dhe unë personalisht, meqë po më akuzoni që aty, jemi kundër dhunës në mënyrën më absolute edhe kur ajo drejtohet verbërisht kundër kundërshtarëve tanë. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes grushtave që godasin kundërshtarin apo politikanët tanë. Jemi kundër dhunës ndaj jush që keni pasur poste të larta në këtë vend. Ne besojmë se vota është ndëshkuesi në politikë dhe jo dhuna. Unë nuk kam asnjë tagër ta këshilloj zotin Berisha por ktheje kokën pas, zhytu në kujtesën tënde dhe mundohu të thuash të vërtetën. Jo me mua, jo me ne. Bëhu i sinqertë me veten dhe kujto se çfarë ke bërë vetë dhe do kujtosh se ke qenë shkak i plumbave të zbrazur, dhe i gjakut në fytyrën e kundërshtarëve të tu, por në atë rast nuk ke ndjerë keqardhje për ta”- shtoi Spiropali.

Top Channel