Italia pranon 500 emigrantë të sjellë nga anijet ‘e bamirësive’ në Mesdhe, megjithë zotimet e qeverisë së djathtë të Giorgia Meloni (fotot)

12/12/2022 15:58

Dy anije evropiane të ndihmës që kishin mbledhur në Mesdhe rreth 500 emigrantë nga brigjet afrikane, janë lejuar dje të zbarkonin në Itali, megjithëse zotimet e kryeministres së djathtë Giorgia Meloni se do të ndërhynte në reduktimin e trafikut të klandestinëve, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

Anija e grupeve të mbrojtjes së refugjatëve Humanity 1, e agjencisë gjermane SOS Humanity, zbriti mbrëmë në portin e Bari 261 njerëz, të cilët ishin shpëtuar në detin Mesdhe, sipas detarëve.

SOS Humanity tha se refugjatët “kishin kaluar një lundrim të vështirë në valë rreth 4 metra të larta ndërsa kërkesat e grupit për t’u pranuar në porte më të afërta ishin refuzuar.

Ndërsa anija tjetër patrulluese e Mesdheut, ‘Geo Berents’ kishte zbarkuar me 248 refugjatë në bord në portin e Salerno pranë Napolit. Ajo është angazhuar për këtë mision nga grupi francez “Doktorët pa Kufij”.

Kreu i misionit Juan Matias Gil tha se “si ne, dhe refugjatët janë shumë të kënaqur me rezultatin”.

Zbarkimet e mbrëmshme të refugjatë vijnë pas atij të së premtes nga anija Louise Michel ishullin italian të Lampedusa, pranë Siçilisë, ku 33 njerëz u zbritën në tokën italiane.

Ndërkohë qeveria e re e kryeministres Giorgia Meloni, aleatët e së cilës kanë premtuar masa të ashpra kundër emigracionit të pakontrolluar nga Afrika, vijon të thotë se do të tregohet e ashpër me grupet e ndihmës dhe operacionet e tyre të paqarta të shpëtimit të emigrantëve në Mesdhe.

Ministri i brendshëm Matteo Piantedosi tentoi dje një politikë të lejimit të zbarkimit vetëm të emigrantëve në gjendje më të dobët, duke sugjeruar se pjesën tjetër duhet ta pranonin vendet që dërgojnë anijet për mbledhjen e emigrantëve në det.

Qeveria ka akuzuar grupet e ndihmës së po nxisin emigracionin ilegal, duke shpërblyer trafikantët që marrin qindra euro nga secili prej atyre që tentojnë kalimin në Evropë nga Libia.

Grupet e ndihmës mohojnë se po nxisin emigracionin dhe bashkërendimin me trafikantët duke insistuar se kërkojnë vetëm të shpëtojnë jetën e lundruesve.

Ata thonë se politika të tilla mbështeten nga konventat ndërkombëtar që kërkojnë dërgimin e emigrantëve të shpëtuar në portin më të afërt, sa më shpejt të jetë e mundur.

FOTO GALERI
2/5
Kryeministrja e djathtë Giorgia Meloni tha se do të ndërhynte në reduktimin e trafikut të klandestinëve or ende nuk duken efektet e politikave te deklaruara

Top Channel