“Ahmetaj, korrupsion madhor”/ Ish-kryeministri kërkon vënien para përgjegjësisë penale për çështjen e inceneratorëve

12/12/2022 12:31

Partia Demokratike sulmoi ashpër ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj duke e akuzuar për korrupsion madhor.

Faktet e dalë në dritë ku vërtetohet se Klodian Zoto ka paguar jo vetëm udhëtimet, por edhe qëndrimet në hotelet me të shtrenjta te Evropës te zyrtarin socialist, për Sali Berishën janë provë e fortë për fajësinë e Arben Ahmetaj.

“Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vetë të kreditit të paktën në 5 raste të raportuara qëndrimet në hotele me 5 yje të Europës, Arben Ahmetaj në vit 2013-2017. Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD dhe Opozitës, e cila ka denoncuar me kohë në skemën e megavjedhjes së 430 milionë eurove”, tha Berisha.

Demokratët kërkojnë vënien para përgjegjësisë ligjore të Arben Ahmetaj, si një nga firmëtarët kryesor të inceneratorit të Elbasanit.

“Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere. Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person”, u shpreh Berisha.

Fshehja e provave nga dy prokuroret e SPAK për Sali Berishën është tregues që Prokuroria e Posatcme Antikorrupsion është e kapur pasi po pengon dërgimin para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar.

Top Channel