Ukraina jugore është goditur nga sulmet nga të dyja palët në luftë, me Rusinë që lëshon drone në Odesa dhe forcat ukrainase që luftojnë në Melitopol.
Ushtria ukrainase tha se rrëzoi 10 dronë të shtunën, por pesë të tjerë kishin goditur objektet energjetike, duke lënë rreth 1.5 milionë njerëz pa energji.
Sulmi me dron i Rusisë në qytetin port ukrainas të Odesa-s vërtetoi atë se Moska po gjuan me dronët e prodhuar nga Irani, thanë zyrtarët ukrainas. Për këtë partneritet të mundshëm Iran-Rusi kanë ngritur alarmin edhe SHBA -të . Sipas inteligjencës amerikane, Moska dhe Teherani planifikojnë të nisin prodhimin e përbashkët të dronëve “vrasës” në Rusi.
“Situata në rajonin e Odesës është shumë e vështirë,” tha Presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës me video. “Fatkeqësisht goditjet ishin kritike, kështu që kërkon më shumë se vetëm kohë për të rivendosur energjinë elektrike. Nuk duhen orë, por disa ditë.”
Që nga tetori, Moska ka shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me valë të mëdha sulmesh me raketa dhe dron. Ndërkohë të premten Shefi i NATO-s ka shprehur shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një konflikt gjithëpërfshirës midis Rusisë dhe NATO-s.
Kremlini ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë efektivisht një palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke trajnuar trupat e saj dhe duke ushqyer inteligjencën ushtarake për të sulmuar forcat ruse.
Top Channel