Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë në tension dhe barrikadat kanë hyrë në ditën e dytë që mbajnë të bllokuar rrugët që të çojnë në pikat kufitare Jarinë e Bornjak.
Në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit është vendosur barrikada e parë, më tutje në hyrje të komunës së Leposaviçit në fshatin Soçiçë është vendosur edhe barrikada tjetër.
Serbët lokal po qëndrojnë në shenjë proteste në mes tyre. Ndërkohë është vendosur edhe një barrikadë tjetër përgjatë rrugës që të çon në pikën kufitare në Bërnjak.
Orët e hershme të mëngjesit të së dielës u regjistruan edhe dy shpërthime në veri, por pa lëndime. Ndërkohë, EULEX konfirmoi që një natë më herët me shok, bombë u sulmua një patrullë e tyre.
Kështu, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë kërkoi largimin e barrikadave nga serbët.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla tha se Policia e Kosovës është e gatshme të ndërhyjë në largimin e barrikadave.
Sulmin ndaj patrullës së EULEXit e ka dënuar edhe NATO që e ka cilësuar si të papranueshëm duke shtuar se misioni i KFOR në Kosovë është i gatshëm për të zbatuar mandatin e dhënë dhe u bën thirrje palëve për qetësi.
E Lista Serbe u ka kërkuar qytetarëve në veri që të mos pengojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë që prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Top Channel