Tensionet në veri, Kurti: Barrikadat duhet të hiqen menjëherë

10/12/2022 22:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se barrikadat e “kriminelëve me maska” të ngritura në veri të Kosovës, duhet të hiqen menjëherë.

Për këtë, ai tha se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është në kontakt me komandantin e misionit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

Kurti po ashtu tha se Serbia ka disa ditë që po “e kërcënon Kosovën me agresion”.

“Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së”, shkroi Kurti në Facebook.

Sipas tij, kërkesa e Serbisë, për kthimin e ushtrisë në Kosovë, kërkon që ta kthejë “kohën e [ish-udhëheqësit serb, Sllobodan] Millosheviq” dhe që çështja e Kosovës “të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së”.

“Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania [dhe ShBA-ja], duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë [dhe Kinës]”, tha Kurti, duke iu referuar një plani të propozuar nga Franca dhe Gjermania për zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai kërkoi që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të dënojnë dhunën, që tha se është e orkestruar, duke shtuar se një mosdënim, “do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.

Serbët lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada më 10 dhjetor, në shenjë kundërshtimi lidhur me arrestimin e Dejan Pantiçit, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Autoritetet në Kosovë thanë se ai kishte organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se do t’i drejtohet KFOR-it për t’i kërkuar kthimin e trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Kjo, sipas tij, i lejohet Serbisë në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, një polic u plagos lehtë, ndërkaq të shtunën, Policia tha se në tri raste ka pasur të shtëna drejt zyrtarëve policorë nga “grupet kriminale”, duke shtuar se policët janë kundërpërgjigjur me zjarr.

Për shkak të situatës në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi që të shtyjë zgjedhjet lokale në katër komunat veriore për prillin e vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel