Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.
Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.
Osmani u takua sot me partitë politike për të diskutuar rreth mbajtjes apo shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut të cilat ishin planifikuar të mbaheshin në 18 dhe 25 dhjetor.
Në takim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Si përfaqësues të serbëve ishin Aleksandar Jabllanoviç dhe Nenad Rashiq.
Pjesë e mbledhjes nuk ishte AAK-ja.
“Qëndrimi i AAK-së për zgjedhjet në veri është që ato të shtyhen sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Këtë qëndrim e kemi bërë publik tash e sa ditë. Duke pasur parasysh këtë qëndrim, nuk e vlerësojmë të nevojshme pjesëmarrjen e AAK-së në takim me Presidenten.”
Vlora Citaku e PDK-së tha se qeveria e Kosovës ka dështuar të organizojë zgjedhjet në veri. PDK-ja është pajtuar të shtyhen zgjedhjet për hir të një konsensusi të brendshëm.
Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës , por, pa pasoja në njerëz.
Top Channel