Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet deklaroi hapur se Shtetet e Bashkuara besojnë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në njohje reciproke. Ai shtoi se dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është “element kritik” në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
“Ne duam ta shohim Kosovën të vazhdojë në rrugën drejt integrimit më të madh evropian dhe një nga mesazhet që doli nga takimi shumë i rëndësishëm i nivelit të lartë mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Tiranë, i pari i këtij lloji që mbahet në rajon, ishte një angazhim i ripërtërirë i Bashkimit Evropian për ta çuar më tej këtë integrim. Ne i konsiderojmë bisedimet e drejtuara nga BE-ja mes Serbisë dhe Kosovës, si një element kritik në këtë drejtim. Ne jemi të përqendruar te normalizimi me bazë njohjen e ndërsjellë. Por, ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan.
Chollet, së bashku me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të hënën do të nisin vizitën dyditore në Kosovë. Dy zyrtarët më pas do të qëndrojnë edhe në Serbi, dhe vende të tjera të rajonit.
I pyetur për propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Chollet tha se për këtë do të flasë me zyrtarët në Prishtinë.
Top Channel