Ndihmësi i presidentit të arrestuar të Perusë: E kishin droguar kur urdhëroi shpërndarjen e parlamentit (fotot)

10/12/2022 15:31

Ndihmësi i ish-presidentit të arrestuar të Perusë, Pedro Castillo tha sot se e kishin droguar ose detyruar të urdhëronte shpërndarjen e parlamentit në fjalimin kombëtar të së mërkurës.

Kreu i stafit të Castillo justifikohej se presidenti ishte nxitur të bënte këtë me anë të drogave dhe se nuk mban mend fjalimin që solli rënien e tij famëkeqe.

Po atë ditë parlamenti i vendit do të debatonte padinë për shkarkimin e tij nga posti me akuza korrupsioni por pak para votës ai njoftoi qëllimin e tij që solli dhe arrestimin e menjëhershëm nga ushtria.

“Ka të dhëna se presidenti ishte detyruar të lexonte atë mesazh, deh kushdo ë ka shkruar tekstin dha argumentet e mjaftueshme për largimin e tij të shpejtë”, shkruante ish-ndihmësi  Guido Bellido në një koment në Twitter.

Zhvillimi vjen teksa presidentja e parë femër e vendit Dina Boluarte, zëvendëse e Castillo u shfaq sot në një ceremoni ushtarake në eventin e parë si kryetare e re e shtetit.

Para shkarkimit dhe arrestimit të tij kësaj jave Castillo njoftoi instalimin e një qeverie të re emergjence nën drejtimin e tij, si dhe njoftoi shtetrrethim gjatë kohës së natës.

Por njoftimi i tij solli dorëheqjen e kreut të ushtrisë së Perusë dhe të katër ministrave, duke përfshirë ata të ekonomisë dhe të jashtëm.

Bellido kishte vizituar në burg ish-shefin e tij në stacionin e policisë në Lima ku po hetohet për rebelim e konspiracion, ndërsa hidhte gjithashtu dyshime për shëndetin mendor të Castillo.

Ai sugjeronte se Castillo kishte vepruar nën efektin e drogave dhe se kishte lexuar një mesazh të shkruar nga të tjerë, në një gjendje të tronditur psikologjike.

Ndërkohë në rrugë disa mbështetës të Castillo marshonin në kryeqytet duke kërkuar lirimin e tij.

FOTO GALERI
1/5
Ndihmësi i ish-presidentit të arrestuar të Perusë, Pedro Castillo tha sot se e kishin droguar ose detyruar të urdhëronte shpërndarjen e parlamentit

Top Channel