Erdogan thotë se në 2023 kandidon për mandatin e fundit në pushtet (fotot)

10/12/2022 20:59

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sinjalizoi sot se kandidatura e tij në zgjedhjet e vitit që vjen do të jetë e fundit.

Erdogan njoftoi se “do të dorëzojmë flamurin e bekuar te rinia”  dhe se në zgjedhjet e 2023 “kërkojmë për herë të fundit mbështetjen”.

Në fjalimin e tij në Samsun në veri të Turqisë, mes të tjerash Erdogan tha: “Në 2023 nisim ndërtimin e shekullit të Tuqisë me forcën e mbështetjes së vendit, për herë të fundit”.

Partia AKP e Erdoğan kërkon të ruajë pushtetin që prej vitit 2003 megjithë trazirat e problemeve ekonomike që perceptohet gjerësisht si ‘keqmenaxhim’.

Rënia e vlerës së lirës vitet e fundit ka trazuar shumë qytetarë në Turqi që kanë parë të bien ndjeshëm standardet e tyre të jetesës.

Në fjalimin e të shtunës Erdoğan shtoi se partia e tij e Drejtësisë e Zhvillimit e “ka bërë Turqinë një lojtar çelës në skenën botërore”.

“Në këto 20 vjet kemi zgjidhur probleme shumë më të vjetra, kemi ndërtuar infrastrukturë që e kanë zili dhe vendet e zhvilluara”.

“Të gjithë thonë se Turqia duket si një vend tjetër, dhe çdo krizë globale ka bërë të kuptohet më mirë fuqia e vendit tonë”, tha Erdogan.

Por në tetor instituti shtetëror turk i statistikave tha se inflacioni në vend ishte në më të lartën e 24 viteve të fundit.

Ndërsa rënia e vlerës së lirës turke ka shtuar kostot e mallrave të importuara, duke dëmtuar fuqinë e shpenzimit të bizneseve dhe qytetarëve turkë, shkruan rrjeti Euronews.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA