Një grup i dërguar nga qeveria e Pakistanit për të hetuar vrasjen e një gazetari të njohur investigativ ne Nairobi, tha se gjeti shumë kontradikta në versionin e dhënë nga autoritetet në Kenia prandaj beson se kemi të bëjmë me një vrasje të para-menduar.
Gazetari televiziv Arshad Sharif, i larguar nga Pakistani pas kërcënimeve ndaj jetës së tij, u qëllua për vdekje në tetor në kryeqytetin kenian Nairobi. Autoritetet në Kenia thanë se ishte një rast i ngatërrimit të identitetit teksa “makina e policisë kishte hapur zjarr ndaj një automjeti që kaloi pa ndaluar ne një postbllok”.
Por grupi me dy anëtarë i dërguar në Kenia nga Pakistani të cilët kryen disa intervista dhe ekzaminuan skenën e krimit dhe të dhënat elektronike e të lëvizjeve të të ndjerit, thanë në raportin e tyre me 600-faqe se vrasja e Sharif ishte e para-planifikuar.
“Të dy anëtarët e grupit tonë arritën në konkluzionin se ishte një vrasje e shënjestruar nga personazhe trans-kombëtarë, dhe jo një rast i identitetit të gabuar”, thuhet në raportin e dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Pakistanit.
“Ka shumë mundësi që zjarri është hapur me të ndjerin në shënjestër, jo nga një mjet në lëvizje por i ndaluar,” thuhej në të.
Autoritetet keniane refuzonin të komentonin zbulimet e raportit.
“Hetimi është ende në vijim kështu që nuk kemi shumë për të treguar”, tha në një deklaratë Resila Onyango, zëdhënës i policisë së Kenias.
Ministri i brendshëm i Pakistanit, Rana Sanaullah, kishte thënë para lëshimit të raportit se trupi i Sharif kishte shenja torture e gërvishtjesh, duke sugjeruar se ishte një vrasje e shënjestruar.
Në raportin e grupit pakistanez theksohej një plagë në kurrizin të ndjerit Sharif, duke thënë se ishte shkaktuar nga afër. Aty shtohej se për këtë të fundit nuk kishte shenjë korresponduese të plumbit në sediljen e makinës, çka sipas tyre quhej një “pamundësi balistike”.
“Plaga është shkaktuar ose para se gazetari të hipte në makinë, ose është qëlluar nga afër, ndoshta nga dikush brenda makinës, dhe me siguri jo nga një makinë në lëvizje.
Sharif ishte larguar nga Pakistani pas kërcënimeve dhe akuzave të qeverisë për tradhti, si mbështetës i ish-kryeministrit Imran Khan.
Edhe Khan tha se Sharif është vrarë prej punës së tij si gazetar.
Grupi i hetimit theksonte gjithashtu mospërputhje mes autopsisë së kryer në Kenia dhe asaj në Pakistan. Në Pakistan u identifikuan 12 plagë në trupin e Sharif, kurse në Kenia vetëm dy plagë plumbi.
Top Channel