Modelja ‘milionere’ maqedonase gjendet e vdekur ‘në rrethana misterioze’, në shtëpi në Afrikën e Jugut (fotot)

09/12/2022 18:34

Maja Janeska, një modele e njohur online me më shumë se 1.2 milionë ndjekës në rrjet, është gjetur e vdekur në atë që mediat vendase dhe anëtarët e familjes së saj quanin dje “rrethana misterioze”.

Policia tha se 39 vjeçarja Janeska, u gjet me një plumb arme në kokë në shtëpinë e saj luksoze në Johannesburg, në Afrikën e Jugut më 2 dhjetor. Gruaja kishte përmendur më parë se “trembej për jetën e saj.”

“Policia gjeti gruan në dhomën e saj të gjumit me një të shtënë arme zjarri në kokë”, tha zëdhënesja vendase e policisë Mavela Masondo.

“Arma e zjarrit ishte pranë saj. Gruaja u konfirmua e vdekur nga mjekët në vendngjarje.”

Artistja e makijazhit dhe krijuese përmbajtjesh online e njohur si  “Maya Mia”  jetonte me biznesmenin vendas  Kyle Phillips, drejtues i grupit të prodhimit të duhanit në Johannesburg, ‘Carnilinx’. Ky i fundit ishte në shtëpi në kohën e ngjarjes.

Phillips — i cili raportohej se ishte “i shokuar nga tragjedia” — u tha autoriteteve ishte në tualet, kur dëgjoi të shtënën nga dhoma e gjumit.

Kolonelja e policisë Masondo nuk u përgjigj kur u pyet se e kujt ishte arma e krimit: “Policia nuk mund të komentojë aktualisht pasi mund të dëmtohet hetimi në vijim”, tha ajo.

Policia sugjeronte se nuk po e trajton ngjarjen si të dyshimtë, duke lënë të kuptohet se mund të jetë vetëvrasje, ndërsa i dashuri i saj milioner Phillips tha për mediat se do të marrë patologun e tij privat për të kryer autopsinë.

Një anëtar  “në zi” i familjes tha për rrjetin vendas News24 se Janeska kishte thënë më parë se “trembej për jetën e saj” — dhe shqetësohej se do ta vrisnin.

“Ne i kemi duart e lidhura. Ne jemi në Evropë ndërsa ajo në Afrikën e Jugut dhe duhet të marrim viza për të shkuar. [Janeska] është atje në morg dhe nuk e kemi idenë se çfarë po ndodh”, tha i afërmi në Maqedoninë e Veriut.

“Ajo trembej për jetën e saj. I dashuri i saj punonte me të tjerë, të cilët edhe ata ajo i kishte frikë”, tha i afërmi anonim për rrjetin afrikano-jugor News24, duke shtuar se Phillips “ishte gjithnjë i rrethuar me bodyguardë” dhe kishte ndaluar mjekët ligjorë shtetërorë ta ekzaminonin në vendngjarje.

Disa ditë para vdekjes Janeska ishte e ftuar në një leksion universitar ku i tha studentëve se ishte vendosur në Tanzania kur ishte 19 vjeçe, sipas rrjetit Jam Press ku mësoi “të fliste rrjedhshëm gjuhën vendase Swahili” dhe më pas kishte ardhur në Afrikën e Jugut për t’u bërë stiliste.

Në një postim në Instagram , Janeska shihet në foto me ministrin e jashtëm maqedonas Bujar Osmani, ku komentonte se kërkonte “të forconte marrëdhëniet mes vendlindjes së saj Maqedonia dhe shtëpisë së saj të dytë Afrika e Jugut”.

Hetimet vijojnë.

FOTO GALERI
2/6
39 vjeçarja Janeska, u gjet me një plumb arme në kokë në shtëpinë e saj luksoze në Johannesburg, në Afrikën e Jugut më 2 dhjetor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA