
Maroku po zhvillon një Botëror fantastik deri tani. “Luanët e Atlasit” fituan grupin F duke eliminuar Belgjikën, ndërkohë që kaluan Spanjën në raundin e 1/8-ve dhe siguruan për herë të parë në histori çerekfinalet e një Kupe Bote.
Kombëtarja afrikane i ka mbyllur pa pësuar gol duelet ndaj Kroacisë, Belgjikës dhe Spanjën. Të njëjtën gjë synon edhe në duelin e zjarrtë të së dielës ndaj Portugalisë.
Një nga lojtarët më të dalluar në ekipin e Walid Regragui është Sofyan Amrabat.
Mesfushori me tipare mbrojtëse, është pjesë e Fiorentinës në Serie A, por karriera e tij pritet të vijojë në Premier League. Antonio Conte e cilëson 26-vjeçarin e lindur në Holandë si përforcimin perfekt për Tottenhamin e tij.
Trajneri italian ka një simpati të kahershme për “luftëtarin” e Marokut, të cilin e donte në skuadër që kur drejtonte Interin. Shtypi britanik shkruan se Tottenham është gati të paguajë 30 milionë euro te Fiorentina për kartonin e Amrabat.
Top Channel