Yuri Kim do të largohet/ Ambasadorja pritet të zëvendësohet nga një diplomat ekspert për çështjet ruse

08/12/2022 17:28

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim pritet të largohet së shpejti.

Një ditë më parë ajo takoi Presidentin e Republikës ku u tha se kishte folur për këtë proces. Ndërsa një ditë më pas ishte Ministria e Punëve të Jashtme në një njoftim të pazakontë në Twitter ku lajmëronte largimin e diplomates.

“Në përgjigje të interesimt të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekulim mbi “heshtjen” e Ministrisë së Jashtme, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht. Ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri, procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.”

Në mbarim të mandatit të ambasadores Yuri Kim, Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur procedurat e zëvendësimit.

Besohet se zëvendësi ambasadores Kim mund të jetë  David Kostelanick. Top Channel mëson se Kostelanick është një njohës i mirë i çështjeve ruse.

Për momentin ai është këshilltar I stafit ushtarak në Pentagon dhe më parë ka qenë diplomat dy herë në Ambasadën Amerikane në Moskë, në Hungari dhe gjithashtu shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e SHBA me vendet e Evropës Qendrore.

Ministria e Jashtme sqaron se për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk mundëson të bëjmë komente.

Fillimisht është DASH që i dërgon emrin për pëlqim Ministrisë së Punëve të jashtme dhe pasi të jetë dakordësuar emri i propozuar nominohet për postin e ambasadorit nga Presidenti I SHBA-së.

Por nuk përfundon këtu dërgimi i ambasadorit të ri.

Kandidatura e nominuar duhet të paraqitet në senat nga zhvillohet një dëgjesë e më pas është senati që e miraton.

Në Tiranë ka mbërritur ambasadori i ri turk, ai është Tayyar Kağan Atay, i cili më parë ka shërbyer në ambasadat në Moldavi, Hagë, dhe shtabin e NATO-s.

Në Tiranë ka mbërritur edhe zëvendësministri i jashtëm turk i cili është takuar edhe me homologen e tij shqiptare, Megi Fino.

Top Channel