Në Suedinë Veriore, 200 kilometra mbi Rrethin Arktik, gjendet Qendra Hapësinore Esrange e cila, që nga fundi i viteve 1960, përveçse një bazë kërkimesh shkencore, ka qenë dhe një lloj poligoni raketash.

Mes 5200 kilometrash humbëtirë të bardhë, ku nuk jeton askush, kjo qendër, e krijuar fillimisht për studimin e aurorave boreale, tani është përfshirë në një garë të ethshme me stacionet e tjera hapësinore për të qenë të parët që do të lëshojnë satelitë nga kontinenti i vjetër.

“Lëshimet satelitore do të fillojnë të bëhen që këtu vitin e ardhshëm. Ka pasur një rritje të ndjeshme të tregut këto dy vitet e fundit kur bëhet fjalë për kërkesën lidhur me shërbime të tilla”– shprehet menaxheri Philip Påhlsson.

Më shumë se 600 raketa suborbitale janë lëshuar tashmë nga ky cep i largët i veriut të Suedisë, duke përfshirë Suborbital Express 3, nisja e së cilës në fund të nëntorit tregoi se çfarë mund të arrihet edhe në temperature minus 20 gradë Celsius.

Raketat në fjalë, ndonëse janë të afta të arrijnë hapësirën deri në një lartësi prej 260 km, nuk janë në gjendje të orbitojnë rreth Tokës. Por me Europën që po përgatitet të dërgojë satelitin e saj të parë në hapësirë së shpejti, Esrange po pret me padurim të kapërcejë vetveten dhe t’i bashkohet një klubi të zgjedhur qendrash hapësinore që përfshijnë Baikonurin në Kazakistan, Kepin Kanaveral në Florida si dhe qendrën hapësire europiane në Guajanën franceze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA