Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka prezantuar 5 ndryshime ligjore, pjesë e paketës Anti Korrupsion, nisma që janë depozituar edhe në Kuvend.

Amandamentet synojnë uljen e korrupsionit. Në një nga pikat Tabaku shprehet se kompanitë duhet të ndalojnë së vëni si kolateral ën banka pronën publike dhe të kenë asete fizike.

“Ndryshimi i tretë lidhet me forcimin e kritereve të garancisë monetare. Sikundër është vënë re në shumë kontrata publike nga inceneratorët deri tek kontratat e fundit që janë diskutuar si ajo e Portit të Durrësit, kompanitë jo vetëm që vënë kolateral pronën e fituar përmes koncesionit për të marrë një kredi, por nga ana tjetër nuk kanë asnjë të dhënë financiare. Ne kërkojmë që me këto amendime, çdo eksperiencë e tillë të mos përsëritet. Jo vetëm kaq por kemi forcuar gjithnjë e më shumë edhe vërtetimin e situacionit financiar të kompanisë që fiton koncesionin. Mundësinë që këto kompani të kenë asete reale, fizike dhe jo letra bankash që do të marrin në të ardhmen kredi duke vendosur kolateral këto kontrata koncesionare”, u shpreh Tabaku.

Deputetja e PD shprehet se kjo nisëm vjen pas evidentimit të lartë në raportet ndërkombëtare të nivele të korrupsionit dhe që tashmë është kthyer në një gangrenë.

Sipas saj, shteti është kapur nga interesa korruptive, ndërsa fusha më problematike është ajo e prokurimeve publike.

 

Top Channel