Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar në lidhje me tensionet dhe shpërthimet në veri të vendit.
Sipas tij institucionet kanë qenë në gatishmëri, ndërsa zgjedhjet janë një manifestim i fuqishëm i demokracisë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë”, tha ai.
Kryeziu u shpreh se pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, ku janë me shumicë serbe, duhet të zgjidhen drejtuesit e rinj.
“Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejme”, shtoi më tej zëdhënësi i qeverisë.
Top Channel