SHBA kërkon tërheqjen nga zgjedhjet në veri të Kosovës, Hovenier: Nuk janë pjekur ende kushtet!

07/12/2022 10:44

Tensionet e përsëritura në veri të Kosovës i kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mendojnë se këto nuk janë kushtet e duhura për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe atje.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të përbëjë prioritetin më të lartë”.

“Kthimi nga dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”.

Deklarata e zyrtarit të lartë amerikan erdhi një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata. Hovenier tha se SHBA-ja i dënon këto akte dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve për përmbajtje.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton këto zgjedhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA