12-vjeçari me ‘monopatinë’ përplaset për vdekje nga autobusi duke shkuar në shkollë (fotot)

07/12/2022 17:58

Një 12 vjeçar që po shkonte në shkollë me monopatinën e tij elektrike ka vdekur pas përplasjes me një autobus.

Mustafa Madeem ishte duke shkuar në shkollë me mjetin e marrë me qera me anë të një aplikacioni, para përplasjes së mëngjesit të sotëm në Birmingham, Britani.

Xhaxhai i tij Wakas Rashid tha për mediat: “Familja janë të shkatërruar, siç mund të imagjinohet, është një kohë e vështirë për ne”.

Vendasit thonë se aksidente të tilla janë shtuar muajt e fundit dhe se skema e mjeteve ‘të përbashkëta’ është e hapur ndaj abuzimit, pasi mund të përdoret dhe nga persona nën 18 vjeç.

Rashid tha se Mustafa ishte fëmija i dytë më i madh i katër vëllezërve e motrave.

Megjithë mbërritjen e shpejtë të shërbimeve të emergjencës ai u shpall i vdekur në vend duke u bërë viktima e dytë në 24 orë në Britani, në drejtimin e një monopatine me qera.

Ligji në vend thotë se monopatinat elektrike mund të përdoren në rrugë publike nëse janë të marra me qera, si pjese e një testimi qeveritar në disa qytete përfshi dhe Birmingham, ndërsa ata të zotëruar privatisht mund të përdoren vetëm në tokë private.

Detektiv Paul Hughes, tha se ngjarja ishte një tragjedi për familjen dhe miqtë e djalit.

“Asgjë nuk mund të bëhej për të dhe u shpall i vdekur në vendngjarje”, tha oficeri ndërsa askush në autobuz nuk u plagos.

Statistikat në Britani tregojë se gjysmën e parë të ketij viti ka pasur 12 vdekje me monopatinat elektrike dhe 1,349 aksidente të raportuara.

Një vit më parë kishte vetëm katër vdekje dhe 978 përplasje.

Në vitin 2019, prezantuesja Channel 4 dhe YouTube Emily Hartridge u vra në një aksident me monopatinë elektrike.

35-vjeçarja u përplas me një kamion pranë shtëpisë së saj në Battersea, në qendër të Londrës.

Në korrik një fëmijë tre-vjeçar mbeti me plagë të përhershme kur u godit nga një burrë me monopatinë elektrike në një park në Londër.

Policia tha se burri kishte ndaluar për të kërkuar ndjesë, por gjendja e të voglës më pas u përkeqësua dhe u dërgua në spital.

Pas një apeli të policisë burri u paraqit për t’iu informuar se plagët e shkaktuara ishin të përhershme dhe ‘ndryshuese për jetën’ e të voglës.

Në të njëjtin muaj gjyshja 80 vjeçare Sarah Carter,mbeti me një krah të thyer e plagë në fytyrë pasi u godit nga një monopatinë elektrike në trotuar. Pas aksidentit ajo tha: “Si person i moshuar që jam mund të isha vrarë nga këto mjete që lëvizin pa kriter dhe infrastrukturën e duhur nga autoritetet.”

FOTO GALERI
1/5
Një 12 vjeçar që po shkonte në shkollë me monopatinën e tij elektrike ka vdekur pas përplasjes me një autobus.

Top Channel