Sulmi ndaj Berishës, Policia: 31-vjeçari me precedent për plagosje, drogë e prishje të qetësisë publike

06/12/2022 14:55

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me sulmin fizik të ushtruar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e organizuar prej tij paraditen e sotme.

Blutë sqarojnë po hetohet 31-vjeçari Gert Shehu, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Policia thotë se nga verifikimet paraprake rezulton se 31-vjeçari ka precedentë të mëparshëm kriminal, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.

Gjithashtu, sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët e tij, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh, për këtë. Hetimet po vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes- thotë policia.

Një person i identifikuar me emrin Gent Shehu, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kishte dalë nga selia e partisë dhe po ecte, së bashku me Ilir Metën drejt bulevardit qendror të Tiranës, ku po organizohej protesta.  Agresori iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Goditja duket se ishte e fortë, saqë Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.

Top Channel