Samiti i Tiranës, një rezultat konkret e pati që në nisjen e tij: Operatorët telefonikë të Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshjen e shumëdiskutuar të reduktimit të tarifave të roaming-ut.

Ajo do të nisë së zbatuari në 1 tetor të vitit 2023. Ulja e kostove të roaming-ut ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së do të mundësojë kushte më të mira dhe nxitje për bizneset, por ajo konsiderohet dhe si një stimul për turizmin, siç shpjegohet në deklaratën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në deklaratë, theksohet bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin Europian, si dhe me operatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor dhe liderët nga rajoni, për këtë ulje të kostove.

Muajin e kaluar, një grup prej më shumë se 80 anëtarësh të Parlamentit Europian i kërkoi KE-së që t’i jepej fund krejtësisht tarifave të tilla për vendet e rajonit, të cilët në letrën e dërguar kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i përshkruanin si partnerë të besueshëm të BE-së. Në kuadër të Procesit të Berlinit, liderët e Ballkanit Perëndimor patën rënë dakord për heqjen e tarifave të roaming midis gjashtë vendeve të rajonit.

Marrëveshja rajonale e roaming-ut hyri në fuqi në korrik 2021, kur tarifat roaming u eliminuan mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Serbisë). në fazën e parë të zbatimit të saj në 2019-tën, kishte patur një ulje të çmimit deri në 80%, ndërsa në fazën se dyte, ato u eliminuan krejtësisht.

Tarifat e roaming-ut i referohen shërbimeve që qytetarët shfrytëzojnë në një shtet tjetër, nga qendra e operatorit të telefonisë se lëvizshme ku janë të regjistruar.

Top Channel