Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, ka dënuar ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së sotme të opozitës ndaj Sali Berishës.

Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore.

Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes.

“Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen”- është shprehur kreu i shtetit.

Një person i identifikuar me emrin Gent Shehu, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kishte dalë nga selia e partisë dhe po ecte, së bashku me Ilir Metën drejt bulevardit qendror të Tiranës, ku po organizohej protesta.  Agresori iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Goditja duket se ishte e fortë, saqë Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.

Top Channel