Sali Berisha ka kërkuar lirimin e Gent Shehut, 31-vjeçarit i cili e goditi me grusht në protestë.

Nga podiumi i protestës me fytyrën e lënduar, Berisha tha se agresori ka shitur veten ndërsa autori i vërtetë sipas tij është Edi Rama.

Së fundmi, le t’i themi policisë; liroje fatkeqin, liroje. Sepse, ai është një mjeran, që ka shitur veten. Dhe përpiqen sot, ta lidhin meqenëse është një samit, e vërteta e pamohueshme, liderë të krishterë, me bishta që çojnë nga Turqia apo ndonjë vend tjetër. Nuk kanë asgjë të përbashkët. Ka vetëm një autor, ky është Edi Rama. Ka vetëm një arkitekt, është Edi Rama. Atë lirojeni dhe mos shpërndani dokrra dhe përralla, se autori i vërtetë është i ulur në samit si kryekriminel i Ballkanit dhe Europës”- tha ish-kryeministri Sali Berisha.

Një person i identifikuar me emrin Gent Shehu, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kishte dalë nga selia e partisë dhe po ecte, së bashku me Ilir Metën drejt bulevardit qendror të Tiranës, ku po organizohej protesta.  Agresori iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Goditja duket se ishte e fortë, saqë Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.

Top Channel