Dhjetëra protestues të komunitetit rom të mbledhur para gjykatës së Selanikut hedhin gurë dhe mjete të forta ndaj forcave policore dhe kërkojnë të hyjnë në ambientet e gjykatës.
Forcat e Rendit përgjigjen me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit djegin kazanët e plehrave dhe bllokojnë rrugën kryesore duke hedhur parulla.
Është dita e dytë e protestave pasi një oficer policie i ndërhyrjes së shpejtë ka qëlluar me pistoletë në kokë një 16-vjeçar rom i cili kishte vënë në një pikë karburanti 20 euro benzinë në makinën e tij dhe ishte larguar pa paguar, i ndjekur më pas nga disa patrulla policie. I riu ndodhet në gjendje serioze për jetën në një spital të Selanikut.
Megjithëse gjykata e ka arrestuar punonjësin e policisë dhe e ka akuzuar për vrasje të 16-vjeçarit me armë zjarri të mbetur në tentativë, protestat nuk kanë reshtur gjithë natën dhe gjithë ditën e sotme si në Selanik ashtu edhe në Athinë.
Protestat kanë qenë të dhunshme , para spitalit, para gjykatës dhe në orët e pasdites të së martës ,në pjesën perëndimore të Selanikut ku ndodhet kampi romëve, atje ku një grup prej 100 vetësh kanë ndezur zjarre, kanë ngritur barrikada, dhe kanë djegur dy ekskavatorë dhe sasi të mëdha gomash apo koshash plastikë.
Sipas policisë shumë prej tyre kanë qenë të armatosur me karabina dhe janë dëgjuar edhe të shtëna armësh. Forcat policore janë kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës. Ngjarja tragjike ka marrë edhe përmasa politike pasi opozita akuzon forcat e policisë se nuk e kanë problem të qëllojnë ndaj një adoleshenti për 20 euro të papaguara.
Protestat e romëve ndodhin pikërisht në përvjetorin e 14 të vrasjes së 15-vjeçarit Aleksandros Grigoropulos nga një polic grek në dhjetorin e vitit 2008, një ngjarje që solli protesta nga më të dhunshmet në vend.
Top Channel