Disa shpërthime janë raportuar në zyrat e Kuvendeve Komunale Zgjedhore në Mitrovicë të Veriut, ndërsa një granatë dore është gjetur brenda objektit.

Policia e Kosovës konfirmoi se, pasditen e së martës, ndodhën disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Më herët, disa media serbe raportuan për dy shpërthime në Zubin Potok dhe tri në Mitrovicën e Veriut.

Policia tha se dyshohet se kishte “shkrepje me armë dhe shpërthime”, por shtoi se “deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente”.

Ajo nuk dha detaje se kush mund të jetë përgjegjës, por tha se “protestuesit” kanë demoluar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore.

Në Mitrovicë të Veriut, pranë vendit ku kanë ndodhur shpërthimet, mbrëmjen e 6 dhjetorit janë parë edhe pjesëtarët e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit, EULEX.

Policia tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar ndihmë asaj rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

Të gjitha këto komuna, të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.

Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në very, i kundërshton këto zgjedhje.

Pas incidenteve në veri, anëtarët e KQZ-së mbajtën një mbledhje pasditen e 6 dhjetorit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniçi, tha se incidentet në veri më 6 dhjetor, dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.

Ai tha se pret të shohë raportin e sigurisë për procesin zgjedhor të Policisë së Kosovës, duke shtuar se “me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë”.

Radoniçi shtoi se më pas raporti i policisë do t’i dërgohet edhe zyrës së presidentes, së bashku me kërkesat e KQZ-së për të ofruar siguri për zyrtarët zgjedhorë, pasi siç tha, nuk mund të rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë.

Megjithatë, ai nuk u pajtua me anëtarët e komisionit, që kërkuan prezencë më të madhe të policisë, duke theksuar se “nëse duam të shkojmë me tërë aparatin policorë, të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje duam të organizojmë”.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur që në verë, kur Qeveria e Kosovës tha nuk do të lejojë më në veri makina me targa që i lëshon Serbia.

Duke kundërshtuar zbatimin e këtij plani që ka nisur më 1 nëntor, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina ka pezulluar planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

Zhvillimet e fundit vijnë në ditën kur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i një plani për normalizimin e marrëdhënieve.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA