Tirana në balotazh/ Primaret e PD vënë përballë Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin

05/12/2022 15:43

Parashikimet për Belind  Këlliçin rezultuan të vërteta. Ai u rendit i pari në garën për kryeqytetin, por sërish nuk ia doli të ishte rivali zyrtar i Erion Veliajt  për zgjedhjet e pranverës për shkak të balotazhit me kandidatin e dytë  më të votuar, Ilir Alimehmeti.

Zgjedhjet ne kryeqytet  do të përsëriten në fundjavë, por as Tirana nuk bëri përjashtim nga rregulli. Pasi rezultati doli  kandidatët të cilët rezultuan humbës hodhën akuza për orientim vote dhe lidhje të fituesve me Soros.

Lufta brenda llojit rezultoi të jetë më e ashpra në Bashkinë Kamëz. Kandidatët Shemsi Premçi dhe Asllan Dogjani që në nisje të procesit  ngritën alarmin se listat e demokratëve ishin mbushur me socialistë, ndërsa pretenduan vjedhje masive votash brenda së njëjtës familje.

Procesi u shoqërua me akuza  nga veriu në jug për garë të përcaktuar dhe orientim vote duke u pasuar më dorëheqje masive kandidatësh.

Sipari  i tërheqjeve nisi nga Tropoja e Sali Berishës ku kandidatja Feride Rrahmanaj pretendoi se 600  demokratë ishin zhdukur në mënyrë të beftë  nga lista e anëtarësisë.

Por,  jo vetëm problemet me listat. Favorizimi i kandidatëve të Ilir Metës  zhgënjeu demokratët e Kuçovës. Kreu i degës Myslim Haxhiu dhe kandidatja  Brikena Koroveshi  u tërhoqën nga procesi.

Për shkak të garancive të munguara për procesin, në shenjë proteste  për zgjedhjet kandidati për Bashkinë e Sarandës, Armando Magllara, deklaroi divorcin përfundimtar me  Partinë Demokratike duke  lëshuar akuza të forta për Sali Berishën dhe Flamur Nokën, të cilët sipas tij e prenë në besë.

Mungesa e transparencës shoqëroi jo vetëm nisjen e procesit por edhe mbylljen e tij. Demokratët të cilët u  ftuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e së dielës nuk e dinë ende se sa votues ishin anëtar  me teser partie dhe sa prej tyre ishin simpatizantë që  nuk shquhen për kontribut në Partinë Demokratike.

Top Channel