Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula surprizoi këtë seancë parlamentare, duke hyrë në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë me një thes të mbushur me ullinj.
Teksa në njërën dorë mbante thesin e në tjetrën një degë plot me kokrra ullinjsh, deputeti zgjodhi të protestojë në mënyrë simbolike duke treguar se fermerët nuk po arrijnë të shesin prodhimet e tyre.
Fermerët e prodhimit të ullinjve janë përballur me problematika, të cilat lidhen me mungesën e punëtorëve dhe tregjeve.
Kur të gjitha çmimet kanë kapur majat, duket se vetëm prodhimet bujqësore vendase shkojnë drejt tatëpjetës.
Një pjesë e e fermerëve nuk kanë arritur t’i vjelin produktet e tyre, pasi në fshatra kanë mbetur vetëm të moshuarit, ndërsa të rinjtë kanë ikur në emigrim.
Prodhimi i këtij viti duket se nuk ka sjellë asnjë të ardhur për fermerët pasi nuk ka punëtorë për t’i vjelë.
Një pjesë e fermerëve kanë falimentuar pasi produkti vendas nuk po promovohet dhe përballet me probleme në shitje.
Top Channel