Taksa “Kumbaro” në Divjakë/ Ministrja përgjigjet me ironi: Më thirrët në interpelancë urgjente për 50 lekë

05/12/2022 18:14

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro thekson se trau që do të vendoset për të hyrë në Parkun Kombëtar të Divjakës është një biletari elektronike që do të ndërtohet sipas ligjit dhe se hyrja do të kushtojë 50 lekë.

E thirrur në një interpelancë në Kuvend nga deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ilda Dhori, ministrja mban në dorë një monedhë 50 lekëshe dhe shpjegon se për çfarë do të shërbejnë paratë që do të mblidhen nga kjo taksë.

“Kam ardhur në një interpelancë urgjente për një monedhë 50 lekëshe. Ky çmim ulet akoma më shumë kur janë 5 veta, që paguajnë 150 lekë, pra 30 lekë secili. Kur janë 10 veta, çmimi bëhet 200 lekë pra 20 lekë secili. Kur është një autobus me 50 veta, çmimi është 300 lekë për të gjithë pasagjerët bashkë, 6 lekë secili.

Nëse dikush mendon se këto çmime i shpik unë, gabohet. Është vendimi i Këshillit të Ministrave. Tarifa do të jetë për vizitat në park, në kullë, për të parë biodiversitetin…

Për të gjithë ata që nuk e dinë se pse duhen këto të ardhura, janë për përballimin e shpenzimeve për sezon, për mirëmbajtjen e Parkut. Janë për mjetet e  tjera për përmirësimin e kushteve të punës, jo më larg se të dielën ishte bllokuar një pjesë e shtigjeve, për ta hapur parkun për ta bërë të vizitueshëm. Bëhet fjalë për 50 lekë. Gjatë viteve të fundit, fluksi i turistëve në zonat e mbrojtura është rritur ndjeshëm”.

Sipas Kumbaros, tarifat nuk do ta paguajnë banorët e zonës, ndërsa akuzon opozitën për shpifje:

“Nuk bëhet fjalë të paguajnë punonjësit që punojnë në subjektet private aty, as peshkatarët dhe as banorët.

Po shpifni, po bëni zhurmë. Të gjithë ata që i kemi parë si përfaqësues që parku do të privatizohet, se kjo punë është e paligjshme, duhet të jetë një hall i madh. Zonja Dhori, vetëm ju e dini pse i thoni këto broçkulla. Brenda parkut janë 90 objekte, 50 prej tyre janë funksionale. Në asnjërën prej tyre, nuk mund të pish një kafe me 50 lekë”.

Jam e bindur që ata që duan të vizitojnë apo të konsumojnë një drekë, nuk do të tërhiqen kur të mësojnë se duhet të kontribuojnë me 50 lekë për mirëmbajtjen e parkut, shtoi ministrja.

Banorët kanë protestuar kundër këtij vendimi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Kundër kësaj takse është edhe nga vetë bashkia.

Për të shkuar në plazhin e Divjakës, rruga që duhet të përshkruash është një e vetme, për te cilën Ministria e Turizmit do t’i detyrojë vendasit të paguajnë para për të hyrë në plazhin publik.

Ky vendim për bizneset e zonës është një rëndesë më e madhe pasi vizitorët që vijnë në park janë më shumë ditorë dhe Divjaka nuk bën pjesë në turizmin elitar.

Sipas tyre çdo lloj tarife do rëndojë vizitorin pasi në Divjakë do paguash për të hipur te kulla, për të shëtitur me varka, për të bërë guida me biçikletë, etj.

Top Channel