Disa prej liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor kanë mbërritur në Tiranë për samitin që pritet të mbahet nesër.

Këtë mbrëmje kanë mbërritur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri hungarez, Viktor Orbán dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Gjithashtu kanë mbërritur edhe Presidenti i Qipros, Presidenti I Bullgarisë, Presidenti i radhës i Bosnje Hercegovinës, Presidentja e Kosovës, Presidenti i BERZH, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Portugalisë dhe Kryeministri i Irlandës.

Tirana nesër do të kthehet në kryeqytetin e Evropës, duke mirëpritur 44 delegacione.

Shtatë janë çështjet më thelbësore që do të diskutohen në samit, ku sikurse në samitet e shkuara të BE-së, kryefjalë mbetet konflikti në Ukrainë.

Udhëheqësit e BE-së në Tiranë do të diskutojnë edhe për pasojat negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor, sulmet kibernetike përfshi shqetësimin për shtimin e emigracionit të paligjshëm drejt vende të BE.

Gjithashtu edhe për pasojat e agresionit rus në Ukrainë; Intensifikimi politik dhe politikat e zgjerimit; shtimi i ndërtimit të sigurisë nga influencat e huaja; Sfidat e emigracionit, lufta ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar; Shtimi i bashkëpunimit në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike; Efektet negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor; Heqja e Roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Agjenda e samitit:

10:15- Mbërritjet dhe mirëpritja zyrtare
11:00- Shkëmbim pikëpamjesh
11:45 -Foto ‘familjare’
12:15- Seancë plenare
14:30 -Konferencë për shtyp

Kujtojmë se samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte në Slloveni në tetor të vitit 2021.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel