Mijëra protestojnë në temperatura nën zero kundër korrupsionit, rritjes së çmimeve në Mongoli (fotot)

05/12/2022 19:00

Mijëra njerëz dolën sot pasdite në kryeqytetin e Mongolisë, megjithë temperaturat nën zero, për të protestuar kundër rritjes së çmimeve dhe korrupsionit në industrinë vendore të qymyrit, raporton rrjeti francez AFP.

Protestuesit, shumica e të cilëve të rinj, marshuan në sheshin kryesor të kryeqytetit Ulanbatar ku gjendet Pallati Qeveritar, për të kërkuar drejtësi ndaj zyrtarëve të korruptuar të parlamentit.

Në temperatura rreth -20 gradë C protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Do ta pësoni” apo “Ndihmoni vendin tonë nga falimentimi”.

Dy barinj thanë për rrjetin AFP se kishin udhëtuar enkas për t’u bashkuar në protestë.

Policia rreth orës lokale 21.00 nxiti protestuesit të shpërndaheshin dhe disa përleshje shpërthyen mes palëve.

Në nëntor zyrtarët vendas anti-korrupsion njoftuan se 30 drejtues të grupit shtetëror të qymyrgurit po hetohen për korrupsion.

Hetuesit thanë se 6.4 milionë ton qymyr nuk ishin regjistruar nga doganat e Mongolisë por ishin regjistruar nga ato kineze ku vendi eksporton prodhimin, çka shkaktoi zemërim për abuzimet e vjedhjen.

FOTO GALERI
1/5
Mijëra njerëz dolën sot pasdite në kryeqytetin e Mongolisë, megjithë temperaturat nën zero, për të protestuar kundër rritjes së çmimeve dhe korrupsionit

Top Channel