Demokratët që mbështesin Sali Berishën u ftuan të votojnë për të zgjedhur rivalët e socialistëve për betejën elektorale të pranverës. Ftesa iu shkoi te gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe simpatizantëve që u thirren për herë të parë për të votuar, por numri i tyre u mbajt sekret duke u kthyer në mollën e sherrit mes demokratëve.

“Nuk e kam këtu me vete, por do t’ua japim së bashku me numrin e votuesve në fund të ditës, padyshim që do ua japim.”- tha Albana Vokshi.

Mungesa e transparencës u shoqërua me akuza nga vetë pjesëmarrësit nga veriu në jug për orientim nga qendra dhe garë të paracaktuar. Që në nisje të procesit në Tropoje u denoncua se 600 anëtarë u hoqën nga lista në mënyre të beftë , ndërsa në Kamëz u hodhën akuza se demokratet ishin zëvendësuar me socialistë. Në dy bashkitë bastion të demokratëve kandidatët që ngritën alarmin u tërhoqën nga gara.

Shumë larg modelit amerikan që premtoi, Sali Berisha pranoi se procesi nuk ishte perfekt por për të parregullsitë e konstatuara nuk e bënin pis atë.

 “Unë nuk mund të them asnjëherë se ky është një proces i përsosur, por asgjë nuk mund të errësojë rezonimin e tij në mbarë Shqipërinë me demokracinë shqiptare”– tha Berisha.

Në 4 Bashki minoritare zgjedhjet nuk u zhvilluan duke i lënë terren të lire Vangjel Dules, e duke shkelur parimin që Sali Berisha e cilësonte të panegociueshëm, primaret. Te njëjtin fat patën edhe katër kandidatet e Ilir Metës qe u favorizuan në garë.

Top Channel