Veliaj dhe arkitekti Winy Mass, inspektojnë punimet te Piramida: I kushtohet gocave dhe çunave të Tiranës

03/12/2022 13:03

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi së bashku me arkitektin e njohur, Winy Mass, kantierin e punimeve të Piramidës, ku shumë shpejt do të mësojnë kodim fëmijët dhe të rinjtë e Tiranës.

Winy Mass është arkitekti që ka realizuar projektin për transformimin e godinës ikonë, në qendrën më të madhe ICT në rajon, për aftësimin e të rinjve në teknologji informacioni.

Veliaj tha se me Piramidën, Tirana po bën një kapërcim cilësor nga dijet e së shkuarës, te dijet e së nesërmes. “Piramida e Tiranës do të jetë metafora më e bukur e kapërcimit të kohërave, e shndërrimit të një strukture, që ishte ndërtuar për sistemin e vjetër të diktatorit, në një strukturë të re, e cila do të jetë këtu për të lëvduar të ardhmen e fëmijëve tanë, që duan të mësojnë kodim dhe të marrin dijet e nevojshme për punët e sotme. Kemi filluar me rifiniturat, me vendosjen e sinjalistikës, po punojmë në mjediset e brendshme dhe shkallaret që të çojnë lart. Është një shkollë unike, e cila jeton me qytetin. Pjesa e brendshme është e aksesueshme edhe nga dikush që vjen në Tiranë, qoftë edhe për 24 orë, si turist, i cili mund ta shijojë pamjen e qytetit nga ballkoni në majë të Piramidës. Shpresojmë të kapim kohën në afat dhe në pranverë t’i kthejmë Tiranës, ndoshta copën e pronës më të lakmuar të qytetit! Do t’i kushtohet çunave dhe gocave të qytetit, me shpresë që pastaj, ta kthejmë në një model për qytetet e tjera apo edhe për vendet e tjera në rajon”, u shpreh Veliaj.

Arkitekti Winy Mass u shpreh entuziast se si projekti po vjen në jetë. “Është super e këndshme të shoh këto ditë sesi po jetëzohet koncepti i të pasurit të një Piramide të hapur dhe të aksesueshme nga të gjithë. Jashtë strukturës do të jetë një park që vazhdon ‘pyllin e Tiranës’ nga sheshi ‘Skënderbej’, përgjatë gjithë rrugës, ku gjen një fshat aktivitetesh. Ky park mund të përdoret nga të gjithë. Duket sikur Piramida të tërheq dhe kjo ndihet me të vërtetë”, tha ai.

Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër multifunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA