Sofja e zemëruar pas refuzimit të Holandës që Bullgaria të hyjë në Schengen

03/12/2022 13:27

Qeveria e Bullgarisë ka kritikuar vendimin e Holandës për të bllokuar këtë shtet të Bashkimit Evropian që të anëtarësohet në Zonë Schengen – ku bëhet lëvizja pa pasaporta – duke e cilësuar si akt “cinizmi”.

Qeveria e kryeministrit holandez, Mark Rutte, më 2 dhjetor njoftoi se pajtohet që Rumania dhe Kroacia t’i bashkohen Zonës Schengen, por do të bllokojë anëtarësimin e Bullgarisë.

Holanda tha se vetoja ndaj Bullgarisë vjen për shkak të dështimit të Sofjes që të arrijë rezultate të kënaqshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrat e Drejtësisë të BE-së do të vendosin për pranimin në Schengen të Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë gjatë takimeve që do të zhvillojnë më 8 dhe 9 dhjetor.

Pranimi i anëtarëve të rinj në Schengen kërkon miratim unanim.

“Në vend të solidaritetit evropian, Bullgaria po pranon cinizëm”, tha presidenti bullgar, Rumen Radev.

“Përpjekjet tona nuk duhet të neglizhohen. Përpjekjet tona nuk meritojnë fyerje”, tha ministri i Brendshëm bullgar, Ivan Demerdzhiev.

“Holanda nuk ka të drejtë që të mos na do ne në Schengen. Mënyra se si e bën këtë është absolutisht e papranueshme, pa bazë politike dhe e jashtëligjshme”, tha ministri bullgar i Drejtësisë, Krum Zarkov, gjatë një prononcimi për mediat bullgare.

Radev dhe Demerdzhiev thanë po ashtu se autoritetet kufitare të Bullgarisë po bëjnë “përpjekje të jashtëzakonshme për të ofruar siguri” në kufijtë e BE-së.

Ministri i Jashtëm i Holandës, Wopke Hoekstra, tha më 2 dhjetor se “është shumë herët” që të ndryshohet pozicioni i shtetit të tij karshi Bullgarisë.

Hoekstra tha se Holanda mund ta shqyrtojë këtë çështje vetëm kur të bëhet e qartë se Bullgaria ka mekanizma efektivë të sundimit të ligjit, që janë të aftë të trajtojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Austria po ashtu ka shprehur rezerva lidhur me anëtarësimin e Bullgarisë në Schengen. Kancelari Karl Nehammer tha se shteti i tij mbështet anëtarësimin e Kroacisë, por është kundër anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë.

Komisioni Evropian ka thënë disa herë se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia kanë përmbushur kriteret dhe janë të gatshme për anëtarësim në Zonën Schengen. Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje shteteve që të pranojnë këto tri vende në Schengen pa vonesa.

Zona Schengen lejon njerëzit që të lëvizin lirshëm, pa kontrolle të dokumenteve identifikuese, përgjatë kufijve të brendshëm të 26 shteteve anëtare. Katër prej anëtarëve të Schengenit nuk janë pjesë e BE-së.

Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja janë të vetmet shtete të BE-së që nuk janë pjesë e Zonës Schengen, përderisa shtetet jonaëtare, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Litenshtajni janë anëtarë./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA