Do të jetë presidentja Vjosa Osmani ajo që do të përfaqësojë Kosovën në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, që mbahet në Tiranë në 6 dhjetor.

Kopjen fizike të ftesës, kryetares së shtetit kosovar ia dorëzoi në Prishtinë ambasadori i BE-së atje, Tomas Sznunyog. Ftesa vinte nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. “Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të bllokut për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Samiti, i pari i këtij lloji i mbajtur në Ballkanin Perëndimor, konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik mes Bashkimit Europian dhe rajonit me një perspektivë të qartë drejt BE-së.

E ashtuquajtura Deklarata e Tiranës që do të dalë nga ky takim, thuhet se do të mirëpresë gjithashtu heqjen e romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.

Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj sektorit të energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit. Në samiti janë ftuar liderë të të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të rajonit, ndërsa nuk është konfirmuar ende pjesëmarrja e presidentit serb, Aleksandar Vucic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA