Policia gjen 320kg fentanil me vlerë $8mln të fshehur në arra kokosi në Meksikë (fotot)

03/12/2022 19:17

Zyrtarët në Meksikë kanë kapur dje rreth 320 kg të drogës së fuqishme fentanil të fshehur brenda arrave të kokosit që udhëtonin drejt SHBA.

Masa gjigante e drogës vrasëse u zbulua në shtetin verior meksikan të Sonora, dhe arrinte në vlerë rreth 8milionë dollarë.

Fentanil, një tip qetësuesi opioid i përdorur dhe për anestezi, ka nisur të përdoret si drogë e zakonshme dhe ka shkaktuar një krizë të gjerë vdekjesh e varësie në SHBA, çka nxit dhe trafikun e gjerë ilegal nga vende të tjera.

Në imazhet e publikuara nga autoritetet vendase shiheshin qeset e tabletave të drogës të futura brenda frutave, të vendosura në kamionë, teksa oficerët i çanin duke zbuluar substancën e jashtëligjshme.

Në një prej imazheve shihej që arra e kokosit ishte prerë më dysh dhe më pas ringjitur pasi ishte mbushur me tabletat e fentanilit.

Zyrtarët thanë se kishin arrestuar dy njerëz në kamionin me destinacion SHBA.

Fentanili është një qetësues i fortë me bazë opiumi që përdoret për dhimbjet e forta dhe jepet vetëm me rekomandimin e mjekut.

Prej disa dekadash droga vret mijëra njerëz në SHBA, me rreth 60 000 vdekje të numëruara vetëm në vitin 2020, dhe 75 000 në 2021.

Kriza e opiateve arriti kulmin gjatë izolimeve të koronavirusit që i bëri njerëzit akoma më të ekspozuar nga varësisë.

Fentanil llogaritet rreth 50 herë më i fortë se heroina dhe rreth 100 herë më i fortë se morfina.

FOTO GALERI
1/5
Zyrtarët në Meksikë kanë kapur dje rreth 320 kg të drogës së fuqishme fentanil të fshehur brenda arrave të kokosit

Top Channel